Kosova është duke u përballur me papunësi të lartë, me skemë pensionale jo të qëndrueshme, e po ashtu edhe me financim jo të vazhdueshëm.
Kështu u tha në konferencën “Iniciativa e Dimensionit Social” (IDS) për Ballkanin Perëndimor “Mos përjashtimi i askujt në procesin e integrimeve te BE-së.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se kjo konferencë synon të rrisë dialogun në mes shoqërisë civile.
“Kosova është duke u ballafaquar me një papunësi të lartë, me një skemë pensionale jo të mirë dhe financim jo të vazhdueshëm. Të gjitha këto jemi duke u ballafaquar si ministri. Barazia në mes personave me aftësi të kufizuara është prioritet yni. Ne kemi hartuar tani edhe një koncept dokument vitin e kaluar dhe këtë vit jemi duke bërë një punë të mirë që të fuqizojmë dimensionin social. Qëllimi ynë është ta ndërtojmë atë, duke mbrojtur dhe shtuar barazinë në mes gjeneratave, fëmijëve, grave e burrave”, tha ai.
Knut Fleckenstein, anëtar i Parlamentit Evropian tha se duhet shumë durim në procesin e liberalizimit.
“PE për herë të dytë ka dhënë një votë të qartë dhe besoj se kjo ditë është shumë afër që të ndodhë, pasi e meritoni”, tha ai.
Ndërsa, Elmir Bojaxhiq në emër të ASB-së për Evropën Juglindore, tha se kjo iniciativë është pikësynim global që të tërheqim mbështetjen evropiane për përmirësimin e resurseve njerëzore.
“Kjo bëhet përmes bashkimit të strukturave politike civile të gjithë së bashku. Të shkëmbejmë përvoja mes shteteve duke nxitur erëra të ndryshimit”, tha ai.