Anëtari i VV-së i reagon ministres Gërvalla, s’i pëlqen deklarata për nacionalizmin

11:31 | 10 June 2021

Zyrtari i VV-së i reagon ministres Gërvalla, s’i pëlqen deklarata për nacionalizmin.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Enis Sulstarova, i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, pas reagimit që kjo e fundit ka bërë rreth verdiktit të Hagës për Ratko Mlladiqin.

Ajo që duket se i ka penguar Sulstarovës është pjesa ku Donika Gërvalla ka potencuar se vendimi i Hagës është edhe vendim kundër nacionalizmit.

Sulstarova ka thënë se në asnjë dokument ndërkombëtar nuk dënohet nacionalizmi, derisa shton se Republika e Kosovës ka lindur si përpjekje e projektit nacionalist të shqiptarëve.
Derisa i ka rekomanduar kryediplomates kosovare zgjerimin e fjalorit politik.

“Donika Gërvalla duhet ta zgjerojë pak fjalorin politik vetjak. Ekzistojnë edhe fjalët “shovinizëm”, “fashizëm” dhe “racizëm”. Askund në dokumentet themelore ndërkombëtare nuk dënohet nacionalizmi si i tillë. Që nga krijimi i Organizatës së KOMBEVE të Bashkuara janë krijuar më shumë shtete kombëtare se më parë. Sot, më 10 qershor përkujtojmë shpalljen e parë politike të nacionalizmit shqiptar. Republika e Kosovës lindi si projekt nacionalist i shqiptarëve”, ka shkruar Sulstarova.

Kryediplomatja Donika Gërvalla kishte shkruar se dënimi i Mlladiqit është edhe verdikt kundër nacionalizmit. Sipas Gërvallës, nacionalizmi agresiv përbën kërcënimin më të madh për paqen në Ballkan.

“Vendimi përfundimtar kundër Mlladiqit për gjenocid, krime lufte dhe agresion është gjithashtu një vendim kundër nacionalizmit. Me mbështetjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jemi kundër nacionalizmit agresiv i cili ende përbën kërcënimin më të madh për paqen në Ballkan”, ka shkruar Gërvalla

Komento: