Anglia i hakmerret Italisë, fiton si mysafir.
Anglia ka fituar ndaj Italisë si mysafir me rezultat 2-1, në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese për EURO 2024.
Dy ekipet ishin përballur në finalen e Kampionatit Evropian, ku Italia e kishte fituar eventin.
Anglia e nisi më mirë takimin, duke rrezikuar së pari me Jude Bellingham në minutën e 12-të.
Pas një minute, Declan Rice ishte i saktë me një goditje nga brenda zone duke kaluar në epërsi prej 1-0.
Anglia vazhdoi me raste, ku Kalvin Phillips ishte afër golit në minutën e 32-të, por nuk shënoi.
Giovanni Di Lorenzo kishte rastin e parë për Italinë në minutën e 41-të, por goditja e tij nuk qëlloi cakun.
Në minutën e 42-të, Anglia fitoi penallti, ku pas shikimit të VAR, u vendos për këtë gjë.
Nga pika e bardhë ishte i saktë Harry Kane që shënoi për 2-0.
‘Tre Luanët’ kanë mundur ta mbyllin ndeshjen në kohën shtesë të pjesës së parë, por Jack Grealish nga afër nuk ishte i saktë.
Në pjesën e dytë Italia u kthye në lojë, duke tentuar të bëjë më shumë para porte të Anglisë.
Italia shënoi për 2-1 me golin e Mateo Retegui, që shënoi pas asistimit të Lorenzo Pellegrinit.
Anglia ka mbetur me një lojtar më pak, kur Luke Shaw u largua nga loja pas dy kartonëve të verdhë.
Deri në fund Italia tentoi të barazojë, por nuk ia arriti të shënojë.