Ankesa të shumta/ Nxënësit edhe pas një muaji e gjysmë përballen me mungesë të librave

19:04 | 13 Tetor 2023
ankesa-te-shumta/-nxenesit-edhe-pas-nje-muaji-e-gjysme-perballen-me-mungese-te-librave

Edhe pas një muaj e gjysmë të fillimit të mësimit, nxënësit në Kosovë po vazhdojnë të kenë probleme me furnizim me libra.

E, ankesat më të mëdha për mungesa të librave po jenë për nxënësit nga klasa e 6-9, shkruan Front Online.

Kështu, po thotë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

“Ka ankesa nga kolegët tonë nëpër shkolla se ende ekziston ky shqetësim, ngase jo të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste shkollore, problematikë më shumë paraqet për nxënësit e klasës së 6-9 ngase tekstet e vitit të kaluar që janë përdorë një pjesë kanë qenë të dëmtuara, pastaj ka raste kur tekstet nuk janë kthyer në shkollë, ka edhe raste kur numri i nxënësve ka ndryshuar në një paralele në një shkollë të caktuar nga viti i kaluar deri më tani dhe mësimdhënësit ende përballen me këtë problem. Ende kemi nxënës të cilët ose nuk kanë fare tekste, ose ka edhe nxënës që nuk kanë arrit t’i kompletojë të gjitha tekstet shkollore”, është shprehur Jasharaj për Front Online.

Krejt fajin për këtë i pari i sindikatës, po ia lë ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit.

Sipas tij, kjo e fundit nuk po dialogon me askënd për vendimet që po i merr.

“Veprimi më i gabuar i mundshëm ka qenë ky me tekste i ministres Nagavci, por fatkeqësisht derisa ajo mban inati, nuk ka takime as me ne, as me Këshillin e Prindërve, as me Asociacionin e Komunave për t’i adresuar çështjet më kohë, po të ishim takuar, po të kishte pas dialog kjo çështje do të vie me kohë dhe edhe prindërit edhe shkollat do të mobilizoheshin duke e ditur se çfarë po i pret”, ka thënë ndër të tjera ai.

Jasharaj, ka frikën se kjo që po ndodhë këtë vit, mund të përsëritet edhe vitin e ardhshëm.

Por, lutet që kjo mos të ndodhë.

“Kjo situatë uroj që të mos përsëritet në vitin e ardhshëm, pra e kemi gjysmën e tetorit dhe ende e kemi temë mungesën e teksteve shkollore. Pra, po them edhe njëherë uroj që vitin e ardhshëm edhe për klasat 1-5 edhe për ato 6-9 Qeveria e Kosovës, më saktësisht MASHT-i të sigurojnë me kohë mjete dhe të i blejnë tekste për të gjitha paralelet sepse nuk punohet në shek..XXI me tekste të vjetra e me fletor pune të plotësuara e në shumicën e rasteve edhe gabimisht dhe nxënësit me këto fletore pune nuk mund t’i bëjnë as detyrat”, ka deklaruar i pari i sindikatës.

Ndërsa, ish-zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka deklaruar për Front Online se është fatkeqësi që edhe në muajin e dytë pas fillimit të mësimit të flitet për mungesë të librave.

Kurse, thotë se faj për mungesë të tyre për nxënësit e klasave 6-9 kanë shkollat.

“Nëse mungesat janë prej klasës së 6 deri në të 9-tën atëherë aty problemi është te shkollat të cilat nuk i kanë mbledhë librat nga gjeneratat paraprake, sepse tek ne numri i nxënësve shkon duke u zvogëluar edhe nuk është e mundur mos me mjaftu librat e gjeneratës së mëhershme për gjeneratën e tanishme. Nëse, kemi këtë problem atëherë problemi është tek shkolla dhe në raste të tilla zakonisht prindërit detyrohen t’i blejnë librat”, është shprehur Pupovci, për Front Online.

Kurse, Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, thotë për Front Online, se shkollat ëshët dahstë të raportonin në ministri për numrin e saktë të teksteve shkollore.

Sipas tij, përgjegjësia duhet të thirret për këdo që ka dështuar në këtë zingjir të raportimit, qoftë edhe MASHT-i.

“Pajisja e nxënësve me tekste shkollore për klasat 6-te dhe 9-te, shkon përtej skemës së subvencionimit nga Qeveria, pra, këto klasa janë në cikël të ripërdorimit të tyre, kjo, nënkupton që shkollat janë ato që do të duhej të raportonin prapa në MASHTI kërkesat e sakta për numrin e teksteve shkollore qe nuk mund te ripërdoren. Përgjegjësia duhet të thirret për këdo që ka dështuar në këtë zingjir te raportimit, përfshirë edhe për MASHTI nëse ka dështuar të furnizoj me tekste ato shkolla që kanë mirë raportuar, por në të njëjtën kohë edhe për ato shkolla dhe DKA që kanë dështuar në raportim dhe kujdesje për ripërdorim te teksteve shkollore ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë ai, për Front Online

Ditë më parë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar në profilin e saj në rrjetin social Facebook, se është alarmante se si 70.6% e nxënësve edhe një muaj pas fillimit të vitit shkollor 2022/23, vijojnë procesin mësimor pa pasur në dispozicion të gjitha tekstet shkollore.

Bajrami ka thënë se përgjegjësi kryesor për këtë është kryeministri Albin Kurti.

Ministria e Arsimit pak ditë para se të fillonte mësimi kishte marrë vendim duke i obliguar prindërit që të blejnë librat për fëmijët e tyre përmes subvencionimit nga klasa e parë deri në të pestën.

Derisa për klasat tjera do të përdoren librat nga vitet e kaluara që janë dorëzuar në fund të vitit shkollor.

Ministria ka ndarë nga 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.

Ndërsa, për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore,  janë ndarë nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.

Më 30 gusht Qeveria e Kosovës kishte ndarë rreth 13 milionë euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për klasat 1-9.

Sipas njoftimit të qeverisë, mbi 6 milionë e 300 mijë euro janë ndarë për subvencionimin e teksteve shkollore për klasa 1-5, ndërsa mbi 6.6 milionë euro janë ndarë për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9./Front Online

 

 

 

 

Komento: