
Nga fillimi janarit të vitit 2021, në Prishtinë nisi zbatimi i projektit të menaxhimit të parkingjeve publike dhe pagesa për çdo makinë në hapësirat të cilat janë të shënjuara në rrugë.
Kjo ishte bërë e ditur nga ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Në paralajmërimin e tij, Ahmeti pati deklaruar se do të bëhet zvogëlimi i numrit të veturave në qendër dhe se kjo do të mundësojë që banorët rezidentë të kenë parkingje më të sigurta.
Por jo gjithçka doli aq mirë, sa paralajmëroi kryetari i atëhershëm Shpend Ahmeti.
Që nga koha kur edhe nisi punën “Prishtina Parking”, qytetarët vetëm se patën ankesa në numër të madh në kuadër të Komunës së Prishtinës.
Ankesa, kundërshtime e deri tek protestat ishin përgjigja e vetme e cila iu dha komunës nga qytetarët. E gjithë kjo shkaku parregullsive që ka krijuar pikërisht kjo formë e parkingjeve.
Përpos që qytetarë të shumtë paguajnë për sigurimin e veturës në parking, të njëjtit prapë se prapë nuk kanë një vendparking.
Poashtu pati qytetarë të shumtë të cilët mbetën për orë të tëra duke pritur zyrtarët e “Prishtina Parking”, pasi që të njëjtit kishin vendosur bllokueset në veturat e qytetarëve duke ua pamundësuar kështu lëvizjen.
Lidhur me këto ankesa të shumta të qytetarëve, lajmi.net ka kontaktuar Komunën e Prishtinës nga ku u tha se kjo çështje është në diskutim e sipër.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka deklaruar se kryetari i tanishëm i Prishtinës, Përparim Rama, me vendim, ka themeluar Komisionin, në përbërje të disa drejtorëve të Komunës së Prishtinës, për të ndryshuar apo plotësuar rregulloren për organizimin e parkingjeve.
“Kryetari Rama, me vendim, ka themeluar Komisionin, në përbërje të disa drejtorëve të Komunës se Prishtinës, për të ndryshuar/plotësuar rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës se Prishtinës!.”,tha Zogaj.
Poashtu nënkryetari i Prishtinës theksoi se Komisioni është duke punuar në rregulloren e re dhe shumë shpejtë gjatë javëve të ardhshme do të ftojë të gjitha palët me interes në dëgjim publik dhe për komentim të rregullores.
“Komisioni, por edhe Kryetari Rama, kanë parasysh të gjitha ankesat e qytetarëve të Prishtinës, dhe ato po merren në konsideratë me vëmendje të shtuar.”, shtoi ai.
Çmimi për banorët rezidentë shkon nga 10 euro në muaj ose 100 euro në vit.
Edhe pse ish-kryetari Shpend Ahmeti pati deklaruar se mundësia e dallavereve në këtë kuadro është e vogël, por kjo doli të jetë krejtësisht ndryshe.
Qytetarët përpos ankesave se po mbesin pa parkingje në shumë raste kanë raportuar edhe për vjedhjet që po u bëhen nëpër këto parkingje.
Këta të fundit po paguajnë, por sërish po mbeten pa parking. Njësoj po ndodhë me banorët rezidentë por edhe ata që nevojën për t’u parkuar e kanë vetëm disa orëshe.
“Parkingu për banorët rezidentë në muaj kushton 10 euro ose 100 euro për vit. Në zonën dy, Dardania, Bregu i Diellit, do të kushtojë 7 euro në muaj ose 70 euro në vit, ndërsa në zonën 3 do të jetë 5 euro në muaj ose 50 euro në vit.”, pati thënë Ahmeti.
Problemi i parkingjeve në kryeqytet ishte çdoherë shqetësues. Ndalimi i veturave vend e pavend në të shumtën e rasteve ka krijuar probleme për qytetarët që mbetën pa hapësira gjelbëruese, pa hapësira në trotuare e shumë banorë rezidentë pa hapësirat e tyre të veçanta. Por pavarësisht se “Prishtina Parking” u parapa si zgjidhje e këtyre sfidave, kjo doli të shndërrohet në problem edhe më të madh tek banorët, të cilët po kërkojnë zgjidhje nga Komuna e Prishtinës.