Roja hyn në dhomën e vajzave në konvikt, ankohen studentet e UP-së.
Disa studente të cilat banojnë në konviktin numër 5 në Prishtinë, kanë shprehur shqetësim nga prania e një pjesëtari të sigurimit në korridorin e këtij konvikti në orët e vona të natës.
Këto raste të cilat u denoncuan, u trajtuan nga Drejtoria e Qendres së Studentëve, me ç’`rast, punëtori në fjalë u pezullua nga puna.
Vlera Dani, banuese në konviktin numër 5 në Prishtinë, natën që shkoi nuk e kishte të zakonshme.
Kjo për shkak se ndjeu pasiguri në vendin ku banon. Shkak për këtë u bë roja i konviktit i cili, sipas saj, në orët e vona të natës ishte i pranishëm në një nga dhomat e vajzave në konvikt. Këtë ajo e raportoi te drejtoria e Qendres së Studentëve.
“Unë kam dashtë me ba një ankesë te roja për një problem që ka ndodh lartë dhe kam shkuar poshtë, por roja nuk ishte aty. I kishte lënë dy vajza poshtë me ruajt në vend të tij dhe morëm vesh që ai kishte shkuar në dhomë dhe ishte me tri vajza brenda”, tha Vlera Dani.
Sikurse Vlera, mësohet se edhe disa studente të tjera të konviktit janë ankuar. E për këtë është mbledhur në një takim drejtoria e Qendrës së Studentëve e cila ka vendosur pezullimin e punëtorit të sigurimit.
“Komisioni disiplinor për punëtorin në fjalë ka marrë masën e pezullimit, derisa komisioni t’i shqyrtojë të gjitha faktet, ankesat, deklaratat e studentëve që kanë shprehur indinjatë ndaj këtij rasti dhe ndaj personit në fjalë”, thotë Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve.
Komisioni disiplinor ka afat ligjor një muaj që të marr një vendim për masën disiplinore ndaj personit në fjalë.