
LDK po i akuzon Albin Kurtin dhe Hashim Thaçin se po synojnë ta shkatërrojnë këtë parti.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti Hashim Thaçi po akuzohen se po bëjnë disa veprime që po dëshirojnë ndarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Është nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se Kurti e Thaçi po bëjnë ‘trika’ për ndarjen e partisë që ai i takon, por sipas tij LDK-ja është unike dhe nuk mund të përçahet.
“Nuk ka dy as tri LDK-ja të përfaqësuara në institucione, është një dhe unike. Nuk marrim qëndrim pro dhe kundër. Ne respektojmë institucionet, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar dhe presidentin Hashim Thaçi deri kur e ka mandatin. Por, as Hashim Thaçi dhe as Albin Kurti nuk mund të vendosin politika përçarëse në LDK. As ky dhe as ai tjetri nuk mund të bëjnë trika politikë për të përçarë LDK-në”, tha Haziri në Klan.
Haziti thotë se kryeministri në detyrë Albin Kurti përdori standarde të dyfishta kur e paraqiti ekspozenë për 100 ditët e Qeverisë që ai e drejton.
“Ajo që sot e dëgjuam në ekspoze është standard i dyfishtë, prezantimi i punës 100 ditore filloi me injorimin e 50-ditëshit të dytë që ka qenë ushtrim detyre që nënkupton mandat të kufizuar në ushtrim. Standardi i dyfishtë është aplikuar edhe karshi kabinetit qeveritar duke dashur ta dallojë pjesën e kabinetit ku ka përfaqësim LDK-ja, sipas marrëveshjes politike për qeverisje të përbashkët, duke dashur të bëjë një trik politik për ndarje se një LDK e mirë dhe një LDK e keqe ekziston në Kosovë. Këtë politikë Albin Kurti e ka përdorur edhe karshi Kuvendit, një LDK e mirë në Kryesi të Kuvendit dhe një LDK e keqe në Kuvendin e Republikës”, tha Haziri.