Anulohet derbi Prishtina – Trepça ’89, vendasit s’e përfillen vendimin e FFK-së
Derbi mes Prishtinës dhe Trepçës ’89 është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi mitrovicas, pas njoftimit të marrë nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Deri te anulimi ka ardhur pasi KF Prishtina nuk e ka përfillur vendimin e FFK-së që ndeshjet si vendas të mos zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në muajin tetor, duke i ftuar kështu të gjithë tifozët e kryeqytetit që të jenë në stadium, transmeton Klankosova.tv.
“FC Prishtina ndeshjen e radhës në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon të dielën (2 tetor) ndaj Trepçës ’89 me fillim nga ora 18:00 në stadiumin tonë, “Fadil Vokrri” në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas, përcjell Klankosova.tv.
Ky vendim i FFK-së vjen pasi terreni i stadiumit është inspektuar nga eksperti i UEFA, Neil Rodgers, i cili ka konstatuar se gjendja e stadiumit është kritike dhe ka sugjeruar që gjatë muajit tetor, stadiumi të përdoret vetëm për ndeshjet si vendas të Kosovës U-17.