Anulohet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim me tenderin për shitjen e qymyrit

12:56 | 09 Dhjetor 2025
Anulohet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim me tenderin për shitjen e qymyrit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të martë është anuluar seanca ndaj Vllaznim Emërllahut, Muhamet Selmanit dhe Flamur Bekteshit, të cilët në cilësinë e zyrtarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) akuzohen se keqpërdorën detyrën në lidhje me tenderin e titulluar “Shitja e Qymyrit”.

Anulimin e seancës e ka konfirmuar nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, Alban Ajvazi, ku u tha se seanca u anulua për arsye objektive.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 tetor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani dhe Flamur Bekteshi në cilësinë e zyrtarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Ata akuzohen në lidhje me tenderin e titulluar “Shitja e Qymyrit”.

I akuzuari Emërllahu në cilësinë e personit zyrtar si zyrtar i lartë i Zyrës së Prokurimit në KEK më 12 shkurt 2021 i kishte dërguar e-mail menaxheres për përkrahje të prokurimit të KEK-ut, Mirvete Gërguri që të dërgojë ofertën për publikim në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), pa përfunduar dosjen e tenderit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se KRPP-ja më 15 shkurt 2021 i kishte kthyer përgjigje me e-mail Gërgurit, duke kërkuar që ofertën për shitje të qymyrit ta publikonin në platformën e E-prokurimit e të cilin e-maili Gërguri ia kishte dërguar të pandehurit Emërllahu duke i kërkuar që të vepronte sipas udhëzimeve të KRPP-së, , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri përkundër këtij e-maili nuk e kishte publikuar ofertën në platformën E-prokurimi e as në atë të KRPP-së apo të KEK-ut, por se kishte vazhduar tutje me këtë aktivitet të prokurimit në kundërshtim me procedurat e prokurimit, ndërsa më 23 shkurt 2021 i pandehuri së bashku me të pandehurin Muhamet Selmani, ishin takuar po ashtu edhe me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “Enertexh” sh.p.k Ilmi Zhugolli.

Tutje, thuhet se ata kishin biseduar për tenderin në fjalë e që më pas i njëjti OE ishte shpallur fitues për blerjen e 200.000 tonë qymyr me një çmim minimal për 1,600.000.00 Euro aq edhe sa kishte qenë oferta e shitjes, ku në këtë mënyrë i pandehuri ngarkohet se përpos që i kishte mundësuar përfitime të kundërligjshme OE “Enertexh”, sh.p.k në të njëjtën kohë u kishte mohuar konkurrencën dhe mundësinë e ofertimit edhe operatorëve të tjerë ekonomikë në këtë aktivitet të prokurimit.

Ndërsa, i pandehuri Selmani po akuzohet se më 23 shkurt 2023 në Prishtinë në cilësinë e personit zyrtar si Menaxher i Departamentit të Punëve dhe Shërbimeve në KEK në korridoret e objektit ishte takuar me përfaqësuesin e OE “Enertech” sh.p.k Ilmi Zhugolli së bashku me të akuzuarin tjetër Emërllahu pa qenë i publikuar tenderi në fjalë.

Gjatë bisedës mes tyre, thuhet që Selmani i kishte thënë këtij të fundit se: “Unë e sqaroj këtë punë me operatorin në kafene”, kurse kur ishte kthyer nga takimi me përfaqësuesin e OE fillimisht kishte shkuar në zyrën e të akuzuarit Emërllahu duke i kërkuar që të mos e publikonte tenderin në fjalë. Kurse, pas disa minutash i kishte dërguar edhe e-mail zyrtar duke i kërkuar që të mos e publikonte ofertën për shitje të qymyrit në platformën E-prokurimi. Ndërsa dosjen e tenderit të ia dërgonte “Enertech” sh.p.k.

Kurse, i akuzuari Bekteshi në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Zyrës së Prokurimit në KEK akuzohet se edhe pse ka qenë në dijeni edhe i njoftuar në vazhdimësi për mos-publikimin e këtij tenderi dhe atë përmes e-mailave të KRPP-së të 15 shkurt 2021 si dhe nga e-maili i të akuzuarit Selmani i 23 shkurt 2021 i cili kërkonte nga i akuzuari Emërllahu që të mos e publikonte tenderin në fjalë dhe që të shpërndahej dosja e tenderit OE pa e publikuar ofertën.

Tutje, sipas aktakuzës i njëjti përveç që nuk kishte ndërmarrë veprime ligjore për ndërprerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm ai prapë se prapë kishte vazhduar tutje me procedurën e prokurimit deri sa më 1 prill 2021 e kishte shpërblyer OE “Enertech”, sh.p.k duke e nënshkruar kontratën e shitjen e thëngjillit me një çmim minimal prej 1 milion e 600 mijë euro për 200 mijë tonë thëngjill, aq sa ishte edhe oferta minimale e shitjes.

Me këtë të pandehurit Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani dhe Flamur Bekteshi po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Komento: