Vuçiq nuk do ta vizitojë Malin e Zi për krishtlindjet ortodokse.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq anuloi sot një vizitë private të planifikuar në Mal të Zi, pasi dy shtetet fqinje së fundmi kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me një ligj për fetë, të miratuar në Podgoricë, të cilët serbët thonë se diskriminon Kishën Ortodokse Serbe.
Presidenti serb, Vuçiq njoftoi se nuk do të shkojë në Mal të Zi javën e ardhshme, ashtu siç kishte planifikuar, për shkak të shqetësimeve nga zyrtarët malazezë se prezenca e tij do të rriste më shumë tensionet dhe do të rrezikonte pavarësinë e vendit, raporton Associated Press.
“Vendosa që mos të shkoj dhe për këtë vendim u pajtua edhe (patriarku serb) Irinej”, tha Vuçiq.
“Ne respektojmë pavarësinë e tyre”, shtoi ai.
Më herët, Vuçiq kishte deklaruar se do të vizitonte kishat serbe në Mal të Zi në Krishtlindjen Ortodokse që festohet më 7 janar. Zyrtarët në Mal të Zi thanë se vizita e presidentit serb do të rriste më shumë tensionet në këtë vend.
Gjatë një konference për media të mbajtur sot, Vuçiq akuzoi zyrtarët malazezë dhe zyrtarët perëndimorë – ndonëse nuk tregoi se për kë bëhej fjalë – se kishin nisur një “fushatë histerike të gënjeshtrave”, që prej se ai kishte njoftuar se do të udhëtonte drejt Malit të Zi.
Ai tha se po e anulon vizitën për shkak të “përplasjeve” të mundshme që “do të mund të dëmtonin popullin serb në Mal të Zi”.
Mali i Zi u nda nga Serbia më 2006. Një e treta e popullsisë prej 620 mijë banorëve, deklarohen se janë serbë.
Protestuesit serbë kanë thënë se Ligji për fetë, që u miratua muajin e kaluar nga Parlamenti malazez, do të çojë në marrjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe që gjenden në Malin e Zi, por zyrtarët në këtë shtet mohojnë këto pretendime.
Protestuesit serbë kanë kërkuar që ky ligj të anulohet.
Mijëra huliganë kanë djegur flamurin e Malit të Zi dhe kanë sulmuar të enjten ambasadën e Malit të Zi në Beograd.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka shkruar në Tëitter të premten se ajo që ka ndodhur në ambasadën në Beograd ka qenë një sulm ndaj pavarësisë së vendit të tij. /rel