Apartamente dhe vetura të shtrenjta, kjo është pasuria e politikanëve serbë nga Kosova

22:06 | 10 Nëntor 2022

Pasuria e politikanëve serbë nga Kosova: Funksione të trefishta, apartamente dhe vetura të shtrenjta.

Gjykuar nga të dhënat për pagat dhe pasurinë e politikanëve të Listës Serbe, për ta “nuk do të ketë dimër” në periudhën e ardhshme. Edhe pse nuk do të marrin paga nga Kosova për shkak të braktisjes së institucioneve, xhirollogaritë e tyre do të vazhdojnë të mbushen nga pagat përmes vendeve të tjera të punës që u janë dhënë nga institucionet serbe. Fondet e Sigurimeve Pensionale e Invalidore (SPI), kompanitë e ndryshme publike, postet e profesorëve nëpër fakultete dhe në periudhën në vijim do të jenë “Mekë dhe Medinë” për përfaqësuesit e Listës Serbe që fitojnë mijëra euro në muaj, përveç pasurisë së madhe private që kanë.

Që kur janë larguar nga institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk do të marrin më rroga nga buxheti i Kosovës, por edhe pa to nuk do të mbeten me xhepa bosh. Praktikisht paralelisht, dhe atë për vite me radhë, zyrtarët më të lartë të Listës Serbe marrin të ardhura nga Beogradi dhe Prishtina.

Askush nuk punon vetëm në një vend pune dhe pagat mesatarisht nuk bien nën 1,500 deri në 2,000 euro në muaj.

Radio Evropa e Lirë (RSE) ka shkruar së fundi për këtë, por gazeta “Nova rs” ka hetuar edhe atë se çfarë posedojnë politikanët serbë nga Kosova.

Goran Rakiq ka tri banesa dhe të ardhura mujore më të larta se 2 mijë euro

Kryetari i Listës Serbe dhe ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, sipas të dhënave zyrtare, fiton gati 2 mijë euro në muaj.

Rakiq deri më tani ka marrë 1,150 euro pagë për punë si ministër, të cilat nuk do t’i marrë më, sepse ka vendosur të mos marrë pjesë në punën e institucioneve të Kosovës.

Po ashtu, sipas të dhënave në ueb faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, thuhet se Rakiq është drejtor i PUK “Standard” në Mitrovicë, ku merr 542 euro në muaj. Ai e mban këtë detyrë që nga viti 2017, transmeton Telegrafi.

Përveç kësaj, kryetari i Listës Serbe punon si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë, ku fiton 235 euro. Ndonëse është i obliguar të publikojë të dhënat për pasurinë e tij, të luajtshme dhe të paluajtshme, Rakiq nuk i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, por në Agjencinë e Kosovës kundër Korrupsionit.

Në atë raport, Rakiq raportoi se ai ka në pronësi tre apartamente (58,75,38 metra katrorë) dhe një parcelë prej 9,5 ari. Sa i përket pasurisë së luajtshme, Rakiq ka një veturë në vlerë prej 10,000 euro, si dhe 50, 000 euro në institucionin financiar “D.R.” në Beograd.

Igor Simiq – deputet, punon në fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore dhe u jep mësim studentëve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq, deri para pak kohësh si deputet merrte pagë prej 1,800 euro. Krahas këtij funksioni, Simiq është drejtor i Shërbimit të Drejtorisë në Prishtinë në kuadër të fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore.

Ai është në këtë pozitë që nga viti 2020, ku fiton 1250 euro në muaj. Ashtu si Rakiq, ai punon si asistent në Fakultetin Ekonomik në veri të Mitrovicës, ku fiton 200 euro në muajt.

Ndonëse nuk është më në pozitën e kryetarit të këshillit mbikëqyrës në JP “Mreza most”, Simiq ka qenë nga viti 2015-2020, ku për çdo muaj merrte 43,701 dinarë.

Zoran Todiq, ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, ka një pronë të madhe

Todiq, i cili tani është ish-kryetar i komunës së Leposaviqit, ka marrë rreth 1.160 euro në muaj nga buxheti i Kosovës. Po ashtu, sipas të dhënave të paraqitura, Todiq merr 1,000 euro brenda sistemit serb si kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal Leposaviq.

Pasuria të cilën ai e ka deklaruar në institucionet e Kosovës nuk është e papërfillshme. Todiq është pronar i një trualli prej 498 metrash katrorë, për të cilin në vitin 2011 ka ndarë 12.500 euro. Përveç kësaj, ai ka në pronësi një shtëpi prej 250 metrash katrorë, vlera e së cilës është 74 mijë euro.

Todiq është edhe pronar i një veture “Golf”, të cilën e ka blerë në vitin 2021 për 9,500 euro.

Kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës së Kosovës, Milan Radojeviq

Deri në dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Radojeviq fitonte 1,200 euro çdo muaj në këtë pozitë.

Gjithashtu, në kuadër të sistemit nën autoritetin e Serbisë, si drejtor i fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore ai merr 1,000 euro.

Radojeviq ka regjistruar një apartament prej 60 metrash katrorë me vlerë 31 mijë euro, i cili është në pronësi të prindërve të tij.

Ish njeriu i parë i Zveçanit ka dy banesa

Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, nga buxheti i Kosovës ka fituar 1.120 euro për shkak se ishte në krye të kësaj komune.

Përveç kësaj, ai është zëvendësdrejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën Veriore, ku fiton 1,400 euro. Përveç kësaj, ai ka dy apartamente – 126 dhe 80 metra katrorë, të cilat në total kapin vlerën e më shumë se 90 mijë euro.

Komento: