Apel urgjent nga Komuna e Prishtinës në orët e vona

23:08 | 24 Gusht 2026

Komuna e Prishtinës ka bërë apel urgjent për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal, pasi malet përreth kryeqytetit janë përfshirë nga zjarret.

Përmes një njoftimi, Komuna ka paralajmëruar se temperaturat e larta dhe kushtet e thata krijojnë rrezik të madh për përhapjen e shpejtë të flakëve, duke rrezikuar pyjet, kafshët, pronat dhe jetën e qytetarëve.

Qytetarëve u është bërë thirrje që të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina, si dhe të mos hedhin cigare të ndezura dhe të mos lënë prush apo materiale të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.

Komuna ka kërkuar që, në rast se qytetarët vërejnë tym apo zjarr, të largohen nga zona e rrezikut dhe të njoftojnë menjëherë Zjarrfikësit e Kryeqytetit në numrin 193.

Në njoftim është shprehur mirënjohje për zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilët, sipas Komunës, po përballen me zjarret pa ndërprerje, ditë e natë.

“Një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë një katastrofë të madhe”, thuhet në apelin e Komunës, e cila ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë qytetarët për mbrojtjen e natyrës dhe jetës. /ORAinfo/

Komento: