
Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Shaqir Lutvija ishte dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte. Kështu, rasti është kthyer në rigjykim.
Themelorja më 11 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lutvija, duke e dënuar me 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“APROVOHET si e bazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Shaqir Lutvija, avokatës Jovana Filipovic, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.77/24, i datës 10.12.2025 ANULOHET, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas vendimit të Apelit të 23 qershorit 2026, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit, deri në vendimin ardhshëm nga Themelorja.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e Lutvijës, avokatja Jovana Filipoviq, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal.
Filipoviq kishte propozuar që Apeli ta anulojë aktgjykkmin e Themelores dhe lëndën ta kthejë në rigjykim para një trupi tjetër gjykues ose ta ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarin Lutvija në mungesë të provave ta lirojë nga akuza.
Pëgjigje në ankesë kishte paraqitur Prokuroria Speciale, duke propozuar të refuzohet ankesa e mbrojtjes dhe të vërtetohet aktgjykimi i Themelores. Ngjashëm kërkoi edhe Prokuroria e Apelit me parashtresë.
Apeli gjeti se vendimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas Apelit, aktgjykimit i mungojnë arsyet lidhur me faktet vendimtare, nuk janë dhënë arsye të qarta dhe të mjaftueshme lidhur me kundërthëniet në deklarimet e dëshmitarëve, dhe nuk është arsyetuar mjaftueshëm roli i të akuzuarit në veprimet e përshkruara në dispozitiv. Ndërsa, thuhet se në disa pjesë arsyetimi është në kundërshtim me vetë dispozitivin e aktgjykimit.
Apeli gjen se vendimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje që kanë të bëjnë me vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Aty thuhet se mbetet e paqartë se cilat veprime i janë atribuar të akuzuarit, në cilën cilësi ka vepruar, ndaj cilëve të dëmtuar ka marrë veprime dhe në cilën periudhë, dhe si është manifestuar bashkëkryerja.
Apeli vlerëson se dispozitivi i aktgjykimit përmban përshkrim të përgjithësuar të veprimeve inkriminuese.
“…nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se gjykata e shkallës së parë ka konkretizuar në mënyrë të mjaftueshme se cilat nga këro veprime i ka ndërmarrë i akuzuari Shaqir Lutvija, në raport me cilët të dëmtuar janë kryer ato veprime dhe me cilat prova është vërtetuar pjesëmarrja e tij konkrete”, thuhet në vendim.