Apeli i GJKKO merr vendimin për Berishën, të paraqitet dy herë në javë

13:08 | 03 January 2025
apeli-i-gjkko-merr-vendimin-per-berishen,-te-paraqitet-dy-here-ne-jave

Në Apelin e Gjykatës së Posaçme është shqyrtuar këtë të premte kërkesa e SPAK për rikthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në arrest shtëpie.

Në përfundim të seancës, Apeli i GJKKO vendosin masën e detyrim paraqitje dy herë në javë për ish-kryeministrin.

“Urdhërohet i pandehuri S.B. të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00”,-thuhet në komunikimin për mediat nga ana e Gjykatës.

Avokati i ish-kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj tha para mediave se ky vendim është i paqartë, pasi prokurori nuk e ka kërkuar masën e sigurisë detyrim paraqitje.

“GJKKO, mbi ankimin e prokurorit, vendosi kryesosh zëvendësimin e masës. Ne jemi të paqartë me dispozitivin e këtij vendimi, për shkakun se objekti ishte kërkesa për shfuqizimin e masës së Gjykatës së Parë, prokurori i qëndronte masës së arrestit në shtëpi, ndërkohë që nuk kishte një kërkim tjetër nga ai. Ne nuk ishim në këto kushte. Por sigurisht kjo nuk është një gjykatë më pak e kapur. Vendimi nuk është zbardhur, por ky vendim nuk ka zgjidhur asnjë problem përveçse ka rihapur edhe njëherë të njëjtin problem”, tha Gjokutaj. /euronews.al

Komento: