Apeli vërteton dënimin me burg e gjobë ndaj Shkodran Pulajt dhe pesë të tjerëve për shitblerje të narkotikëve

12:15 | 30 Korrik 2026
apeli-verteton-denimin-me-burg-e-gjobe-ndaj-shkodran-pulajt-dhe-pese-te-tjereve-per-shitblerje-te-narkotikeve

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë si dhe të mbrojtësve të të akuzuarve Shkodran Pulaj dhe Roksana Kaçiku, duke vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Pejë ndaj tyre dhe katër të akuzuarve tjerë: Ymridin Krasniqi, Xhevahir Koqinaj, Flamur Shala dhe Liridon Krasniqi, me të cilin të akuzuarit (së bashku) u dënuan me mbi 7 vjet burgim dhe 6 mijë e 800 euro gjobë, për veprat penale të shitblerjes së narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, dhe e mbrojtësve të akuzuarve Shkodran Pulaj dhe Roksana Kaçiku, av. Faton Fetahu dhe av. Forti Skoro, ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.15/24 i datës 18.07.2025, përkitazi me të akuzuarit Shkodran Pulaj dhe Roksana Kaçiku, vërtetohet. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.15/24 i datës 18.07.2025, përkitazi me të akuzuarit Ymridin Krasniqi, Xhevahir Koqinaj, Liridon Krasniqi dhe Flamur Shala, mbetet i paprekur”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 24 prill 2026.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me aktgjykimin e datës 18 korrik 2025, i ka shpallur fajtorë të gjashtë të akuzuarit.

I akuzuari Ymridin Krasniqi u dënua me dënim unik prej 1 vit burgim dhe 1 mijë e 600 euro gjobë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Shkodran Pulaj u dënua me dënim unik prej 3 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.  Xhevahir Koqinaj, Flamur Shala dhe Liridon Krasniqi u dënuan me nga 10 muaj burgim dhe nga 800 euro gjobë (secili veç e veç) për shitblerje të narkotikëve. Kurse, Roksana Kaçiku u dënua me 1 vit burgim dhe 800 euro gjobë për shitblerje të narkotikëve.

Të akuzuarve iu ishte shqiptuar edhe dënim plotësues, konfisikimi i armëve, municionit e gjësendeve tjera: sprej për pastrim të armëve, kavanoz qelqi me kokainë, grinder, etj; si mjete me të cilat janë kryer veprat penale.

Kundër këtij aktgjykimi, në afat ligjor ankesa kanë paraqitur Prokuroria Themelorenë Pejë për shkak të vendimit mbi dënimin, me kërkesë për dënim më të ashpër ndaj të akuzuarit Shkodran Pulaj. Ankesë paraqitën edhe mbrojtësit e Shkodran Pulajt dhe Roksana Kaçikut, avokatët Faton Fetahu e Forti Skoro, duke kërkuar lirimin e të akuzuarve nga akuza ose anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të Ligjit Penal.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë kishte kërkuar aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore dhe refuzimin e ankesave të mbrojtjes së Pulajt dhe Kaçikut.

Gjykata e Apelit, në kolegjin e përbërë nga Valbona Musliu-Selimaj si kryetare, Xhevdet Abazi dhe Mentor Hajraj anëtarë, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe mbajtjes së seancës së kolegjit më 26 mars 2026, ka konstatuar se ankesat nuk janë të bazuara.

Sipas Apelit, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore për shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore është i qartë, i kuptueshëm, konkret dhe në plotni i arsyetuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme, të qarta dhe bindëse për të gjitha faktet vendimtare të çështjes, duke kryer një vlerësim të plotë, të gjithanshëm dhe të ligjshëm të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas Apelit, janë vërtetuar plotësisht elementet objektive dhe subjektive të veprave penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtorë. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se faktet dhe rrethanat vendimtare, duke përfshirë furnizimin me substanca narkotike, posedimin me qëllim shpërndarjeje dhe shitjeje, si dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve, janë provuar në mënyrë të qëndrueshme nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve veçanërisht dëshmitarit të mitur NN., dhe babait të tij, video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, raporteve të ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), procesverbaleve të bastisjeve, foto-albumeve dhe provave të tjera materiale të proceduara në shkresat e lëndës.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ashtu siç kanë pretenduar mbrojtësit e të akuzuarve. Dhe se pretendimet për prova të papranueshme, për arsyetim të pamjaftueshëm të aktgjykimit, si dhe pretendimet për kompetencë të gabuar të Gjykatës Themelore për shkak të pranisë së një të mituri si dëshmitar/i dëmtuar nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara.

Lidhur me vendimin mbi dënim, Apeli ka vlerësuar se dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë janë të drejta, të ligjshme dhe plotësisht proporcionale me rëndësinë shoqërore të veprave penale, intensitetin e veprimeve inkriminuese, shkallën individuale të përgjegjësisë penale të secilit të akuzuar, si dhe me rrethanat rënduese dhe lehtësuese të konstatuara gjatë procedurës.

Sipas Apelit, këto dënime janë në harmoni të plotë me qëllimin e dënimit, duke kontribuar si në preventivën e përgjithshme ashtu edhe në atë individuale.

Gjykata e Apelit ka theksuar se aktgjykimi i ankimuar i Themelores është mbështetur në një vlerësim të kujdesshëm, të paanshëm dhe të arsyetuar të të gjitha provave, pa lënë pa u trajtuar asnjë fakt vendimtar, ndërsa konkluzionet e nxjerra janë të bazuara plotësisht në ligj dhe në provat e siguruar gjatë hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor.

Aktakuza e ngritur më 25 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Ymridin Krasniqin, Shkodran Pulajn, Muharrem Pulajn, Xhevahir Koqinajn, Liridon Krasniqin, Flamur Shalën dhe Roksana Kaçikun.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ymridin Krasniqi akuzohet se nga data e pavërtetuar më 2022 deri më 9 qershor 2023, pa autorizim ka blerë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substanca narkotike apo substanca analoge, të cilat me ligj janë shpallur narkotikë. Substancën narkotike të llojit kokainë e ka blerë nga persona tjerë e pastaj me qëllim të shitjes e ka mbajtur në vikendicën e tij në Prizren dhe pastaj e ka shitur tek persona të ndryshëm në Prizren, si vetë ashtu edhe përmes të pandehurve Liridon Krasniqi, Flamur Shala, Muharrem Pulaj, Xhevahir Koqinaj dhe Roksana Kaçiku.

Në aktakuzë thuhet se gjatë ekzekutimit të urdhër-kontrollit më 15 shkurt 2023, në shtëpinë e tij dhe në vikendicë, janë gjetur dhe sekuestruar: dy  grinderë (mulli) dhe një pako rizlla OSB – SLIM. Ndërsa, gjatë ekzekutimit të urdhër-kontrollit më 9 qershor 2023, janë gjetur dhe sekuestruar: një kavanoz qelqi me marihuanë- kjo e vërtetuar nga raporti i ekspertimit i datës 11 tetor 2023, nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka rezultuar se përmban kanabis (marihuanë), që përmban Tetrahidrokanabinol (THC), me peshë neto 5.75 gramë, dy rolle, dy mulli për bluarje të marihuanës, një pako me rizlla me mbishkrimin “OCB SLIM”, një kavanoz qelqi me 27 qese të ndara me kokainë, kjo e vertetuar nga raporti i ekspertimit, të datës 11 tetorit 2023, nga AKF, ka rezultuar se sipas përbërjes kimike dëshmitë përmbajnë kokainë, të gjitha këto në peshë neto të përgjithshme të përafërt 15.35 gramë, si dhe një peshore digjitale.

Me ketë, i akuzuari Ymridin Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Ymridin Krasniqi ngarkohet se nga data e pavërtetuar e deri më 15 shkurt 2023, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhër-kontrollit, zyrtarët policorë në shtëpinë e tij kanë gjetur 14 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu, me rastin e ekzekutimit të urdhër-kontrollit, në oborrin e vikendicës iu gjet një pushkë ajrore Browning, dhe një kuti plastike me 89 diabolla, të gjitha këto pa leje.

Me këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shkodran Pulaj ngakrohet se nga data e pavërtetuar më 2022 deri më 4 shtator 2023, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë. Aty thuhet se në periudha të ndryshme ka blerë nga persona të ndryshëm nga Shqipëria dhe ua ka shitur personave të ndryshëm kokainën, e të cilët persona vinin në lokalin e tij “Kosova 2” në Prizren.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Pulaj njëjtë ka vepruar edhe me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, të cilët në mes vete kanë shitur dhe blerë kokainë, ndërsa derisa i dëmtuari – i mitur NN., si viktimë e ndjeshme nga data e pavërtetuar në përiudhën shtator 2022- prill 2023, ka qenë duke punuar në lokalin e të pandehurit, ky i fundit ka shpërndarë kokainën duke i dhënë atij për konsum çdo ditë dhe i ka kërkuar që ta shpërndajë edhe tek personat tjerë, e që i mituri e bëri, kështu që Pulaj veproi në dëm të të miturit dhe shfrytëzoi viktimën e ndjeshme.

Me këtë, i akuzuari Shkodran Pulaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 275, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.

Gjithashtu, Shkodran Pulaj akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 5 shtator 2023, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ku me rastin e ekzekutimit të urdhër-kontrollit, zyrtarët policorë në shtëpinë e tij në Prizren, kane gjetur një pushkë gjuetie me dy tyta, një kafkë që i përket pistoletës , një tytë që i përket pistoletës, një spirale që i përket pistoletës, dhe 21 fishekë të tjerë, të gjitha këto pa leje. Po ashtu, kanë gjetur pjesë përcjellëse: një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rripë fotrollë për vendosjen e karikatorëve.

Me këtë, i akuzuari Shkodran Pulaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, Xhevahir Koqinaj akuzohet se nga data e pavërtetuar deri më 4 shtator 2023, merr pjesë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, në atë mënyrë që shkonte në vikendicën e tij ku zakonisht takoheshin dhe aty furnizohej me substancë narkotike dhe pastaj i siguronte klientë të ndryshëm për blerje të narkotikut të llojit kokainë.

Me këtë, Xhevahir Koqinaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, Flamur Shala akuzohet se nga data e pavërtetuar deri më 4 shtator 2023, merr pjesë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, në atë mënyrë që shkonte në vikendicën e tij, ku zakonishte takoheshin dhe aty furnizohej me substancë narkotike dhe pastaj i siguronte klientë të ndryshëm për blerje të narkotikut të llojit “kokainë”.

Me këtë, Flamur Shala po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, i akuzuari Liridon Krasniqi ngarkohet se nga data e pavërtetuar deri më 4 shtator 2023 merr pjesë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, ky i fundit është xhaxhai i tij, në atë mënyrë që shkonte në vikendicën e tij dhe prej aty ofronte për shitje kokainë për klientë të ndryshëm të cilët shkonin aty për ta marrë.

Me këtë, i akuzuari Liridon Krasniqi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Muharrem Pulaj ngarkohet se nga data e pavërtetuar deri më 4 shtator 2023, merr pjesë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, në atë mënyrë që shkonte në vikendicën e tij, ku zakonishte takoheshin dhe aty furnizohej me substancë narkotike dhe pastaj i siguronte klientë të ndryshëm për blerje të kokainës.

Me këtë, i akuzuari Muharrem Pulaj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Roksana Kaçiku ngarkohet se nga data e pavërtetuar deri më 4 shtator 2023, merr pjesë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, ku dhe shkonte në vikendicën e tij dhe prej aty pastaj i jepte kokainë klientëve të ndryshëm të cilët vinin aty për blerje të narkotikut.

Me këtë, Roksana Kaçiku akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal.

Kujtojmë se Shkodran Pulaj përveç kësaj aktakuze për narkotikë, ngarkohet edhe me tri aktakuza tjera. Më 10 janar 2024, nga Prokuroria Themelore në Prizren ndaj Pulajt është ngritur aktakuzë për “Ushtrim ndikimi”. Më 5 mars 2024, Prokuroria Themelore në Gjilan i ngriti aktakuzë për “Dhënie ryshfeti”. Kurse, Prokuroria Themelore në Prizren më 3 tetor 2024 Pulajt i ka ngritur aktakuzë për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”. /BetimipërDrejtësi/

Komento: