APK dërgon 7 kallëzime në Prokurori dhe 2 raste në ATK për dyshime tatimore

15:55 | 16 Qershor 2026
apk-dergon-7-kallezime-ne-prokurori-dhe-2-raste-ne-atk-per-dyshime-tatimore

Rreth 10,168 zyrtarë të lartë publikë kanë përmbushur obligimin për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor, përkatësisht nga 1 deri më 31 mars 2026.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, 32 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit të përcaktuar me ligj. Agjencia ka publikuar edhe listën e subjekteve deklaruese që nuk e kanë përmbushur këtë obligim.

Gjatë këtij viti, Agjencia ka proceduar në Prokurorinë e Shtetit shtatë kallëzime penale dhe 42 informata që lidhen me procesin e kontrollit të deklarimeve të pasurisë. Po ashtu, dy informata janë dërguar në Administratën Tatimore të Kosovës për dyshime mbi shmangien e obligimeve tatimore.

Sipas Agjencisë, këto raste ndërlidhen me procesin e kontrollit të plotë të deklarimeve të pasurisë të nisur gjatë vitit 2025, si dhe me informacionet e pranuara dhe të trajtuara nga institucioni.

Aktualisht, Agjencia ndodhet në fazën e përzgjedhjes së rasteve përmes procedurës së shortit, në kuadër të kontrollit të deklarimeve të pasurisë të dorëzuara gjatë vitit 2026. Pas përfundimit të kësaj faze pritet të nisë procesi i verifikimit dhe kontrollit, në përputhje me procedurat dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Sa i përket kallëzimeve penale dhe informatave të proceduara, Agjencia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pranuar informacione nga Prokuroria e Shtetit lidhur me stadin e hetimeve. Sipas saj, njoftimi i vetëm i pranuar është se rastet janë marrë në shqyrtim dhe janë deleguar në kompetencë të prokurorive përkatëse.

Komento: