APK-ja do të shqiptojë gjobë mandatore prej 30% të pagës mujore për mjekët dhe profesorët që se kanë deklaruar pasurinë

09:03 | 16 Mars 2024
apk-ja-do-te-shqiptoje-gjobe-mandatore-prej-30%-te-pages-mujore-per-mjeket-dhe-profesoret-qe-se-kane-deklaruar-pasurine

Këtë vit për herë të parë deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit i janë shtuar edhe dy kategori.

Ajo e mjekëve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar dhe profesorëve universitar, shkruan Front Online.

E, afati i fundit që kur këto dy kategori është dashur të deklarojnë pasurinë ka qenë 12 marsi.

Janë rreth 1430 mjekë dhe 730 profesor që janë të obliguar të bëhen pjesë e këtij procesi.

Kjo, është bërë e ditur në një përgjigje për Front Online nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit(APK).

“Bazuar në të dhënat e regjistruara në sistemin për deklarim të pasurisë nga zyrtarët kontaktues të institucioneve shëndetësore rreth 1430 mjek kanë qenë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Bazuar në të dhënat e regjistruara në sistemin për deklarim të pasurisë nga zyrtarët kontaktues të universiteteve publike  rreth 730 profesor kanë qenë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë”, thuhet në përgjigjen e APK-së, për Front Online.

 

20 mjekë e profesorë nuk e deklaruan pasurinë, ja çfarë masa ndëshkuese po paralajmërohen

Nga mbi 2100 mjekë e profesorë që i janë nënshtruar procesit të deklarimit të pasurisë, janë vetëm 20 që nuk e kanë kryer këtë obligim brenda afatit.

“Deri më tani, para përfundimit të verifikimit dhe kontrollimit për ndonjë lëshim teknik, rezultojnë rreth 20 profesorë dhe mjekë që nuk e kanë kryer brenda afatit këtë obligim”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për Front Online.

Aktualisht APK-ja është duke i verifikuar dhe kontrolluar listat e deklarimit të pasurisë nga mjekët dhe profesorët.

Ndërsa, pas përfundimit të kësaj për ata që nuk e kanë deklaruar fare pasurinë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do të filloj me shqiptim të gjobës mandatore prej 30% të pagës mujore.

“Pas përfundimit të verifikimit dhe kontrollimit për ndonjë lëshim teknik në listën e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, Agjencia do të filloj me shqiptimin e gjobës mandatore prej 30% të pagës mujore të tyre”, kanë bërë të ditur për Front Online nga APK-ja.

Kurse, publikimi i pasurisë për këto dy kategori do të bëhet në afat të rregullt njëjtë sikurse edhe me zyrtarët e tjerë, në fund të muajit prill.

 

Sejdiu për deklarimin e pasurisë: Mjekët kanë hasur në vështirësi në plotësimin e formularit

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka deklaruar për Front Online se nuk kanë shifra të sakta se sa mjekë e kanë deklaruar pasurinë.

“Jo nuk kemi shifra, por mbi 90% e kanë deklaruar”, ka thënë ai.

I, pyetur se a kanë hasur në vështirësi në plotësimin e formularit, Sejdiu ka thënë se vështirësitë kanë qenë të shumta dhe shumë prej tyre edhe kanë gabuar në mbushjen e formularit.

“Është e vërtetë që kanë pas mjaftë vështirësi sepse nuk ka pas informim mjaftueshëm nga zyrtarë të cilët do të duhej t’i informonin dhe janë nëpër institucione shëndetësore për të dhënë shpjegime. Është shumë e vërtetë dhe nga ajo sa kam kuptuar unë ka mjaftë të cilët kanë bërë gabime gjatë plotësimit të formularit pasi që s’ka qenë i lehtë për ata të cilët nuk e kanë deklaruar kurrë”, është shprehur Sejdiu, për Front Online.

E, në momentin kur Qeveria ka marrë vendim që deklarimi i pasurisë të bëhet edhe nga mjekët, por vetëm për ata të kujdesit sekondar dhe terciar kjo është kundërshtuar nga Oda e Mjekëve jo për faktin e deklarimit por për ndasitë që janë bërë mes mjekëve.

Nga Oda e Mjekëve kanë thënë se ligji duhet të vlejë për të gjithë dhe të mos jetë diskriminues.

E, shkak i kësaj ata kanë dërguar edhe ankesa e po ashtu edhe shkresa tek Avokati i Popullit, por që siç thotë Sejdiu nuk kanë marrë ende përgjigje.

“I kemi bërë ne ankesat me kohë për të gjitha nivelet edhe kur është bërë drafti i parë edhe kur është bërë drafti i dytë në Qeveri edhe kur ka dal në diskutim publik edhe në parlament edhe së fundmi tri shkresa ia kemi dërguar Avokatit të Popullit. Na është kthyer se nuk i keni shtjerruar të gjitha mjetet juridike, por ne i kemi shtjerruar të gjitha mjetet ligjore dhe ia kemi dokumentuar në takimin në të cilin kanë qenë zyrtarët tonë tek Avokati i Popullit. Na është thënë që do të shqyrtohen dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, ka shtuar Sejdiu për Front Online.

Në rast se ndonjë mjek nuk e deklaron fare pasurinë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë ato në prokurorinë e shtetit.

Për, këtë Sejdiu ka deklaruar se nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi që kjo është çështje individuale e secilit mjek.

“Ajo është çështje individuale e mjekëve, nuk ka çka të bëj në këtë sepse është obligim ligjor individual i secilit prej kolegëve tonë. Ne në dy apo tri raste kemi bërë edhe deklaratë publike dhe kemi kërkuar nga mjekët që ta deklarojnë pasurinë, përkundër që nuk pajtohemi me këtë ligj diskriminues dhe këto dispozita ligjore diskriminuese”, ka thënë i pari i Odës së Mjekëve.

Deklarimi i pasurisë pranë APK-së, për mjekë dhe profesorë ka filluar nga 11 shkurti i këtij viti dhe ka zgjatur deri më 12 mars.

Më 1 mars ka filluar edhe deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë deklarim edhe vitin e kaluar, për periudhën nga 1 janari i viti 2023 deri në fund të viti 2023./Front Online

 

Komento: