Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, nuk ka sqaruar të hënën nëse Spanja do ta mbështesë kërkesën e afërt të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi Qeveria e Kosovës njoftoi se do të paraqesë kandidaturën për anëtarësim në BE para fundit të vitit.
Në një konferencë për shtyp nga Brukseli pas takimit të ministrave të jashtëm evropianë, Albares, nuk është përgjigjur konkretisht nëse vendi i tij do ta mbështesë kërkesën e Kosovës duke thënë se kërkesa nuk është akoma në tavolinë, raporton europapress.es, transmeton Express.
“Nëse ajo kërkesë arrin, do të jetë koha për të marrë vendimet që duhet të merren, nuk më pëlqen të bëj fiksion politik dhe në momentin që nuk është në tryezë”, tha ministri spanjoll, në një deklaratë pasi Serbia u kishte bërë thirrje vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që të bllokojnë aksesin e saj në BE.
Në këtë drejtim, Albares ka insistuar se Spanja “gjithmonë do ta favorizojë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, duke treguar se kjo nismë është shumë e rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit, duke theksuar se krizat në lidhje me Kosovën janë “shumë të përsëritura”.
Brenda muajit dhjetor Kosova pritet të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.