Apostolova e O’Connell i shkojnë në shtëpi Mustafës: I kërkojnë rol në dialog

16:57 | 17 Janar 2019

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell kanë kërkuar nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa që kjo parti të ketë “rol konstruktiv” në dialog.

Pak detaje jep Lidhja Demokratike e Kosovës nga takimet që kryetari i kësaj partie ka pasur me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, si dhe me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O’Connell.

Sipas zyrës për media të kësaj partie, Mustafa gjatë takimit me Apostolovën diskutoi për situatën aktuale politike në vend.

“Kryetari Mustafa e njoftoi znj. Apostolova për qëndrimet e LDK-së për proceset në të cilat po kalon Kosova duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi. Gjithashtu kryetari Mustafa e falënderoi BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të kësaj partie.

E gjithnjë sipas këtij njoftimi, “Apostolova inkurajoi LDK-në të vazhdojë të ketë rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës”.

Gjatë ditës, për vizitë te Mustafa takoi edhe ambasadorin e Britanisë së Madhe Ruairí O’Connell.

“Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe qëndrimet e LDK-së në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Duke e falënderuar për mbështetjen e pazëvendësueshme të Britanisë për Kosovën, kryetari Mustafa shprehu përkushtimin e LDK-së dhe të qytetarëve të vendit për të thelluar bashkëpunimin edhe më tutje”.

Komento: