Apostolova ka kërkuar sërish heqjen e taksës.
Shefja e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur me çështjen e vendimit të tarifave.
Apostolova në Info Magazine në klankosova tha se këtë qëndrim e ka dhënë e gjithë familja europiane duke theksuar që një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është jetike për Kosovën.
“E gjithë familja europiane ka dhënë zë në Kosovë që të tërhiqen menjëherë këto taksa dhe të gjithë të tjerët kanë ritheksuar se sa e rëndësishme është tërhiqja e këtij vendimi për taksën”.
“Ne kemi edhe letra nga Federica Mogherini dhe Johannes Hahn në adresë të kryeministrit që të tërhiqet ky vendim. E dimë se cilat janë pasojat, sepse nuk mund të kemi dialog pasi pala tjetër nuk po pranon të dialogojë”.
“Taksat paraqesin shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s dhe tek Ligji për MSA-së. Po ashtu ka ndikuar edhe në procesin e Agjendës Europiane 2, pasi tashmë është shtyrë për shkak të tarifave 100%”.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, që tarifat të revokohen”.
Nataliya Apostolova bëri apel tek kryeministri Ramush Haradinaj që të marrë vendim final sa i përket taksës ndaj mallrave serbe, njofton Klan Kosova.
”Kur shikojmë fotografinë globale, për momentin mes Kosovës e Serbisë, cila marrëveshje është më e rëndësishme? Kosova do duhej të merrte vendim se cila është më e rëndësishme”.
”Ose do duhej të pranoni për një mundësi tjetër negociatash në tryezë të rrumbullakët me komisionarin Johannes Hahn, e më pas të nis dialogu”.
”Nuk ka shumë kohë për të humbur, çdo ditë është e rëndësishme, çdo moment është i rëndësishëm, e kryeministri Ramush Haradinaj duhet të marrë këtë vendim”.