Aprovohen nga KQZ-ja 1,960 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës

10:29 | 04 August 2021

KQZ aprovon 1,960 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

2 mijë e 101 persona kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. E prej këtyre aplikacioneve, KQZ-ja i ka aprovuar vetëm 1 mijë e 960 aplikacione. Kështu ka bërë të ditur për Express, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Ndërsa 141 aplikacione sipas Elezit nuk i kanë plotësuar kriteret juridike, shkruan Express.

“Sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 3 gusht, janë pranuar 2,101 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 1,960, ndërsa 141 të tjera jo pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike. Edhe për këto raste, shërbimi votues i ka njoftuar për dokumentet që duhet t’i dërgojnë në mënyrë që t’iu aprovohet kërkesa për regjistrim si votues jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje Elezi tha se periudha e regjistrimit si votues jashtë vendit vazhdon deri më 18 gusht.
“Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i KQZ-së më tej shtoi se të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës, e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 15 tetor 2021.

Edhe aplikimi i subjekteve politike për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është duke vazhduar. Elezi ka bërë të ditur për Express se kjo periudhë përfundon më 16 gusht.

Deri më tani sipas Elezit, KQZ-ja ka pranuar shtatë aplikacione të subjekteve politike. Prej tyre katër janë iniciativa qytetare, një parti politike dhe dy kandidatë të pavarur.

Subjektet që kanë aplikuar deri më tani janë:

1.Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan;

2.Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik;

3.Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;

4.Iniciativa Qytetare Lidhja e Re ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;

5.Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë;

6.Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog; dhe

7. Iniciativa Qytetare për Obiliq, ka aplikuar për certifikim për Kuvend Komunal dhe Kryetar të Komunës në komunën e Obiliqit.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.

Komento: