
Qeveria Hoti aprovon planin prej 365 milionë eurosh për rimëkëmbjen ekonomike
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar planin për zbatimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike në shumë prej 365 milionë euro.
Këtë e ka konfirmuar përmes një shkrimi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila tha se ky plan përfshinë masa lehtësuese në shumë sektor. Derisa edhe i ka renditur secilën masë që përfshihet në këtë plan të rimëkëmbjes ekonomike.
“Lehtësimi i qasjes në kredi për ndërmarrjet private dhe fermerët;
Lehtësimi i barrës tatimore për bizneset;
Rritja e punësimit për kategoritë me gjasa më të ulëta për punësim;
Rritja e prodhimit bujqësor vendor dhe e sigurisë së ushqimit;
Stimulimi i kërkesës agregate e cila krijon efekte multiplikuese në ekonominë e vendit;
Mbështetja e operimit dhe investimeve kapitale të ndërmarrjeve publike;
Mbështetje financiare për rininë, organizatat e shoqërisë civile, artistët dhe sportistët;
Mbështetje për zhvillim të balancuar rajonal në Republikën e Kosovës;
Mbështetje e komuniteteve jo-shumicë në Republikën e Kosovës, për projektet dhe iniciativa që synojnë përmirësimin e jetës dhe rigjallërimin ekonomik;
Mbështetje për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi;
Mbështetje për sektorin e arsimit;
Mbështetje për komunat e Kosovës për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19;
Mbështetje financiare për bashkatdhetarët duke mbuluar koston e primit të policës së sigurimit”, ka shkruar ajo.