Arban Abrashi nga LDK-ja, vlerëson se kishte ndërhyrje gjatë procesit të shqyrtimit të lëndës në Kushtetuese.
Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është e ndikuar politikisht pas vendimit të saj të fundit për mospërsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prishtinës.
Pas refuzimit të ankesës së tij në lidhje me zgjedhjet për kryetar të Prishtinës nga Kushtetuesja, Abrashi në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se ka pasur gabime dhe ndërhyrje gjatë procesit të shqyrtimit të lëndës.
Abrashi më tej e ka kritikuar kryetarin aktual të kryeqytetit Shpend Ahmetin për mënyrën se si po e qeveris komunën më të madhe në vend.
Deputeti i LDK-së po ashtu ka folur edhe për qeverisjen qendrore, me ç’rast ka thënë se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kurse LDK-ja, sipas tij, aktualisht ka përkrahjen më të madhe qytetare.