
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi ka deklaruar se ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës përbëjnë një krim të organizuar të spastrimit etnik, i cili edhe pas 26 vjetësh mbetet pa aktakuzë dhe pa përgjegjësi penale.
Në një reagim përvjetor, Fetoshi tha se ajo që dëshmitarët e përshkruajnë si “nata e tmerrit” ishte një operacion i planifikuar, i maskuar si “huliganizëm”, ku shqiptarët u sulmuan brenda shtëpive të tyre me bomba, snajperë dhe armë automatike, nën vëzhgimin e Policisë së UNMIK-ut dhe trupave franceze të KFOR-it.
Sipas tij, gjatë kësaj nate u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, u plagosën 25 të tjerë dhe 93 persona u keqtrajtuan fizikisht, ndërsa qëllimi ishte i qartë: dëbimi i shqiptarëve nga veriu i qytetit, nën thirrjet “asnjë shqiptar në veri”.
Fetoshi theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë erdhi pas dështimit të operacionit “Patkoi” dhe kapitullimit të Serbisë në qershor të vitit 1999, duke e cilësuar atë si hakmarrje dhe strategji të re politike të regjimit të Millosheviqit. Ai vlerësoi se dëbimi i rreth 12 mijë shqiptarëve drejt jugut të qytetit, në prani të forcave ndërkombëtare, ishte pjesë e një skenari për “sekjuritizimin” e veriut dhe shndërrimin e tij në zonë të veçantë sigurie.
Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, kjo qasje u shfrytëzua nga Serbia për konsolidimin, armatosjen dhe institucionalizimin e strukturave ilegale, të cilat më vonë u shndërruan në struktura hibride për sabotimin e Kosovës. Ai e lidhi drejtpërdrejt “natën e tmerrit” me zhvillimet e mëvonshme të sigurisë, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 2023 dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024.
Duke folur për aspektin e drejtësisë, Fetoshi tha se masakra e Mitrovicës është një krim i dokumentuar me qindra dëshmi dhe pamje, por pa asnjë të dënuar. Ai përmendi procesin gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe disa të tjerëve, si i vetmi rast që ka përfshirë ngjarjet e shkurtit 2000, por që, sipas tij, nuk çoi në identifikimin e përgjegjësve. Procesi përfundoi pa epilog, veçanërisht pas vrasjes së Ivanoviqit në janar 2018.
Fetoshi rikujtoi gjithashtu se Kryeministri Albin Kurti, me rastin e 25-vjetorit të ngjarjeve, i kishte dërguar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës, por pa asnjë përgjigje konkrete.
“Përkujtimet dhe thirrjet për drejtësi vazhdojnë të mbyten në pellgun e të panjohurës”, tha Fetoshi, duke shtuar se mesazhi i “natës së tmerrit” në Mitrovicë mbetet ende kërcënues për aq kohë sa autorët janë të pandëshkuar dhe krimi pa përgjigje.