Arben Gashi i drejtohet Vetëvendosjes: Të nderuar ish – bashkëpartiakë, mirëserdhët në realitetin e ri politik

10:56 | 04 Qershor 2020

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, gjatë seancës së sotme plenare, ka thënë që prej sot do të vendosin standarde të reja të të bërit politikë.

Gashi i është drejtuar ish-bashkëpartiakëve të tij, duke i falënderuar dhe njëherit duke i thënë që gjuha e vetme sipas tij, që do përdoret tash, është ajo e bashkëpunimit.

“Kjo është dita e parë në të cilën i vendosim standardet e reja të punës. Këto standarde nuk do të jenë zhurmat e juaja dhe gjuha e juaj por ajo e bashkëpunimit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, qeveria e re që do të udhëhiqet nga LDK-ja, nuk do të lejojë që Serbia të ketë avantazh në OKB, siç ka ndodhur me Qeverinë Kurti.

“Nuk do të ketë standarde që e vendos Serbinë në titujt e gazetave prestigjioze; ne do të flasim butë por do të veprojmë fort. Do të bashkëpunojmë. Nuk do të keni mundësinë që të silleni me mentalitetin e shkarkimeve të mesnatës apo deklaratave që i keni instaluar në Kuvend.

“Të dashur opozitarë të sotëm e të djeshëm, të dashur bashkëpunëtor të djeshëm e opozitarë të sotëm, mirëserdhët në realitetin e ri politik, në bashkëpunimin pozitë opozitë, ju garantoj se lajmet në gazetat prestigjioze do të jenë në favor të Kosovës, ju garantoj se për çdo vendim ju do të jeni të përfshirë dhe të informuar”, tha Gashi.

Komento: