Arben Gashi: Saranda Bogujevci po keqpërdoret nga Vetëvendosje për përfitime politike

13:52 | 06 Maj 2021

Gashi: Bogujevci po keqpërdoret nga Vetëvendosje për përfitime politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevdi, po keqpërdoret nga partia e saj për përfitime politike.

Ndërprerjen e fjalës nga Bogujevci në seancën e sotme, Gashi e quajti veprim të dhunshëm dhe tendencioz.

“Pamë veprime të dhunshme në Kuvend dhe dhunë nga ulësja e kryetarit të Parlamentit. Kam pritur më shumë se një orë për të marrë fjalën dhe kur e mora ma ka ndërprerë kryesuesja e seancës në mënyrë të padrejtë, të njëanshme dhe tendencioze”.

“Dyshimet shkojnë se kryesuesja e seancës po përdoret dhe keqpërdoret nga Vetëvendosje me qëllim të viktimizimit të saj për përfitim politik, e padinjitetshme për Vetëvendosjen. Sa herë që ulësja e kryetarit të Kuvendit përdoret në mënyrë të njëanshme po prodhohet tension”.

Gashi ka folur edhe për ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se gjuha që ajo ka përdorur në Kombet e Bashkuara është e gabuar politikisht, strategjikisht dhe politikisht.

“Serbia dhe Rusia që 20 vjet kanë ndërtuar një argument që Kosova është shteti i kapur dhe se është i dështuar. Në fjalinë e dytë të fjalimit të saj të parë, Gërvalla i thotë këto fjalë që i ka thënë këto 20 vjet Serbia. Problemi është te Kurti, sepse Gërvalla është zëdhënëse e tij, ministre e tij”.

Komento: