Gashi: Qeveria t’i japë pagat për mësuesit, po tentohet që t’i shërohet egoja e sëmurë e kryeministrit.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës po ia pamundëson marrjen e pagave mësuesve në vend duke bërë shkelje të autonomisë së vetëqeverisjes lokale dhe Kushtetutën e Kosovës.
Gashi tha se mësuesit i kanë dhënë kohë qeverisë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me çështjen e 100 eurove, por sipas tij, qeveria po tenton që me sjellje autoritare, siç tha ai “t’ia shërojë egon e sëmurë kryeministrit.
“Pra, Qeveria e Kosovës po tenton të bëjë përmbysje të rendit kushtetues duke pakësuar liritë dhe kompetencat e autoriteteve lokale sepse mësimdhënësit janë të kontraktuar nga niveli lokal”.
“Përderisa komunat e Kosovës kanë dërguar listat e pagave për mësimdhënës duke konfirmuar se ato duhet të paguhen, ministria e Arsimit dhe qeveria s’kanë të drejtë që në mënyrë arbitrare të pengojnë këto pagesa dhe të mos e realizojnë këtë detyrim që kanë si kontabilist të institucioneve lokale”, është shprehur Gashi, njofton Klankosova.
Tutje, ai tha se Qeveria e Kosovës bashkë me ministrinë e Arsimit po ia vështirësojnë jetën e mbi 25 mijë familjeve, teksa shtoi se për LDK-në është e papranueshme kjo situatë.
“Nëse ata vlerësojnë se autoritetet lokale duke konfirmuar pagesat për mësuesit kanë bërë shkelje, atëherë ata munden në kuadër të mbikëqyrjes administrative të shohin gjithsecilin mësues individualisht i cili ka bërë shkelje. Nuk ka fajtor kolektiv”.
“Shkeljen e radhës që e bën ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës është kolektivizimi i të ashtuquajturit faj për pjesëmarrje në grevë. S’ka fajtor kolektiv në sistemin juridik e kushtetues të Kosovës”, është shprehur Gashi, njofton Klankosova.tv.
Gashi tha se nesër deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në interpelancën e thirrur për ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Ne do të jemi aty, do të japim qëndrimet tona dhe pastaj do të shohim si do të reflektojë qeveria”, tha ai.