
Mbi 400 mijë shërbime janë kryer në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit të kaluar, ka thënë drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi. Në Ditën Botërore kundër Kancerit, ai tha se në tetë vitet e fundit në Kosovë janë diagnostikuar rreth 14 mijë raste me këtë sëmundje.
Kjo klinikë u vizitua gjatë ditës nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia. Kurtishi gjatë prezantimit të punës ka folur për shërbimet e kimioterapisë dhe ato të radioterapisë.
“Kemi pasur që Klinika e Onkologjisë në vitin 2025 ka kryer mbi 408,000 shërbime, të ndara në dy shërbimet tona, shërbimin e kimioterapisë dhe shërbimin e radioterapisë. Dhe nga këto ajo që bie në pa është se ne kemi aplikuar në numër shumë të lartë të trajtimeve medikamentoze ose me citostatik dhe kemi kryer mbi, jo vetëm citostatik por edhe forma të tjera të mjekimit tabletar ose dhënies së terapive biologjike, terapive imunologjike e kështu me radhë, ato të cilat ne i kemi disponuar në klinikë, dhe kjo kap një shifër prej 100,000 shërbimeve ose qytetarëve që i bie, i njëjti qytetar, i njëjti pacient ka marrë disa herë ose më shumë se 10-15 herë brenda klinikës trajtime korrekte onkologjike. Anën tjetër kemi pasur, kemi aplikimin e barnave jo citostatikë, edhe kjo është një shifër prej 51,600 shërbimeve të cilët janë realizuar nga Klinika e Onkologjisë, pra nga stafi mjekësor dhe nga sidomos nga stafi infermieror”, tha Kurtishi.
Tutje, Kurtishi tha se në tetë vitet e fundit kanë qenë rreth 14 mijë raste me kancer.
“Kemi grumbulluar disa të dhëna për tetë vitet e fundit në Kosovë, nga viti 2018 deri 2025 dhe kemi parë se gjatë këtij viti, pra jemi fokusuar pra në të gjitha vitet dhe numri i rasteve me kancer për tetë vite në Kosovë është rreth 14,042 raste. Ne po flasim sipas të dhënave dhe evidencave të cilat i kemi në Klinikën e Onkologjisë të të rriturit ose tumoreve adult, pa i përfshirë tumoret e fëmijëve dhe tumoret hematologjike. Dhe nga viti në vit shohim se në vitin 2022 kanë qenë 1,736 raste të reja ose të cilët për herë të parë janë lajmëruar në Klinikën e Onkologjisë. Në vitin 2023 ky numër ka shkuar në 2,126, në vitin 2024 është 2,119 dhe vitin 2025 ne kemi pak ulje, por kjo e dhënë është rreth, duhet të jetë rreth 2,100 raste”, shtoi ai.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në Ditën Botërore Kundër Kancerit. Ai e pranoi që duhet të punohet që të eliminohen pritjet e gjata në këtë klinikë për marrjen e shërbimeve nga ana e pacientëve.
“Janë disa nga shërbimet, po them, jo nivelit shumë të avancuar terciar, të cilat ndoshta kishin mundur me u decentralizuar, pasi që sot e pamë, kjo çka e pamë sot, besoj që është një përditshmëri për juve, numrin e pacientëve që presin poshtë në Klinikën e Onkologjisë vetëm për këtë qëllim. Nuk mjafton vetëm dyfishimi i shtretërve, të cilin veç me të është ju e keni realizuar. Nuk mjafton vetëm dyfishimi i shtretërve të cilët ju tashmë veç e keni realizuar, nuk mjafton vetëm shtimi i aparaturave si ajo e Radioterapisë. Ju keni një fluks të tillë, të cilin ne ishte dashur që me jua ndihmuar, e kjo ndihmë, natyrisht, prapë po them, çdo herë në bashkëpunim me juve, sepse ju jeni ekspertët, dhe prapë po them, ju merrni një mu si fasilitator edhe ndihmës në këto procese që ju duhet t’i shtyni përpara, të mundohemi që të ulim fluksin në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, në mënyrë që edhe të jetë më lehtë për pacientët, por edhe ju mos keni ngarkesa të tilla të përditshme siç i keni sot”, ka thënë Vitia.
Ai u zotua se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ketë në fokus sëmundjet malinje, modernizimin e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë. Sa i përket kostos së investimeve dhe jetëgjatësisë së pacientëve, ish-drejtori i Onkologjisë, Ekrem Hyseni tha se Kosova është vendi me shpenzimet më të ulëta në regjion.
“Nëse e shohim si shpenzim, normalisht jemi vendi që shpenzojmë më së paku për Onkologjinë në regjion, edhe Mali i Zi shpenzon më shumë. Është shumë me të vërtetë kosto-efikitiviteti që duhet me pa, por në fund të fundit nuk mundesh me i ik se familjari nuk është numër, është person, ka familje, ka fëmijë”, u shpreh ai.
Veç tjerash, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri ditur se janë duke zhvilluar komunikime me Komunën e Fushë Kosovës për ndarjen e tokës për ndërtimin e institucionit i cili i dedikohet kujdesit të pacientëve në fazën terminale.
“Plani i veprimit për Hospicën është bërë, domethënë të gjitha janë, po vitin e kaluar kemi pasur telashe në komunikim me disa komuna për tokën, sepse aty ku ndërtohet Hospica janë disa kushte elementare, qasja, vendi e të gjitha që janë shumë të rëndësishme që të marrin pacientët në fazat terminale të jetës një trajtim dinjitoz dhe tash veç jemi në fazat e avancuara të bisedave me komunën e Fushë Kosovës për ndarjen e tokës në këtë komunë dhe menjëherë të fillojmë pastaj procedurat për projektin ideor dhe procedura të tjera deri në ndërtimin e Hospicës”, tha ai. /KP/