ARBK-ja që ia hoqi licencën Klanit, promovon prefiksin e Serbisë +381

15:42 | 23 Gusht 2023
arbk-ja-qe-ia-hoqi-licencen-klanit,-promovon-prefiksin-e-serbise-+381

Po ua pezullojnë certifikatat bizneseve me arsyetimin se po e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë.

E nisën me mediumin Klan Kosova për të vazhduar me një listë të gjatë të bizneseve.

Por vetë institucioni që po thirret në këto parime, në faqen e tyre zyrtare po e paraqesin Kosovën ende si pjesë të Serbisë.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në faqen e tyre zyrtare po përdorin ende prefiksin e Serbisë +381.

 

 

 

 

Kosova ka arritur në vitin 2016 marrëveshjen me Serbinë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e cila marrëveshje i ka siguruar Kosovës kodin telefonik 383. Me këtë marrëveshje u vendos që kodet 381, 377, 386 do të hiqen nga përdorimi.

Republika e Kosovës me këtë marrëveshje thuhet se krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet/identifikohet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror +383.

Në një ndër pikat e kësaj marrëveshje thuhet se “ Me implementimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës (si p.sh. Portabiliteti/bartshmëria i/e numrave në telefoninë mobile). Po ashtu do të eliminohen pengesat në orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike;

Nga Autoritet Rregullativ i komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) thonë se nga janari i vitit 2018 kodi funksional në Republikën e Kosovës është kodi telefonik +383.

“Ndërlidhur me pyetjen tuaj ne si Autoritet Rregullativ i komunikimeve Elektronike dhe Postare (shkurt ARKEP) ju njoftojmë se nga data 15 janar 2018 në Republikën e Kosovës është funksional dhe përdoret kodi telefonik +383”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it për Front Online.

Front Online për tri ditë radhazi ka pritur përgjigje nga ARBK-ja për t’a sqaruar këtë situatë.

Nga ky institucion nuk kanë kthyer e-mailet e dërguara në adresë të tyre.

Kodi +381 është përdorur nga Telekomi i Kosovës për telefoninë fikse që nga paslufta në mungesë të kodit shtetëror të Kosovës deri në 2018 kur u hoq ky kod, dhe nisi implementimi i kodit shtetëror të Kosovës +383./Front Online/

Komento: