Argjendari vret me armë dy grabitësit që i bastisën dyqanin

09:39 | 23 Dhjetor 2022

Pronari i një argjendarie në veri të Italisë ka gjuajtur me armë zjarri një grup grabitësish që bastisën dyqanin e tij dhe ndërkohë i lidhën të bijën nga duart.

67-vjeçari Mario Roggero, qëlloi për vdekje dy grabitësit Grinzane Cavour pasditen e 28 prillit në tentativën e rëndë të grabitjes nga tre burra të armatosur me thika dhe një pistoletë, që më vonë rezultoi e rreme, raportoi Daily Mail.

Grabitësit kërcënuan për vdekje 67-vjeçarin e familjen e tij ndërsa pas sulmit lidhën duart e bijës së tij në dyqan.

Por pronari i ndoqi ata jashtë dyqanit dhe qëlloi pesë herë me pistoletë ndaj dy grabitësve Andrea Spinelli e Giuseppe Mazzarino nga Torino, të cilën vdiqën disa metra larg hyrjes së dyqanit, njëri në mes të rrugës dhe tjetri në anë të një rruge dytësore.

Një tjetër grabitës ishte plagosur dhe u dërgua në spital pas largimit nga vendngjarja.

Pas vrasjeve Roggero u akuzua për masa të ekzagjeruara vetëmbrojtjeje dhe duhet të përgjigjet për vrasje.

Sipas prokurorisë, Roggero nuk duhet të kishte ndjekur tre grabitësit që kishin dalë nga dyqani dhe po largoheshin, me qëllim që t’i vriste, duke tejkaluar limitet e vetëmbrojtjes legjitime.

E njëjta argjendari kishte pësuar një tjetër grabitje disa vjet më parë në maj të vitit 2015, kur dy grabitës, njëri i maskuar si grua hynë brenda dhe lidhën pronarin duke e rrahur brutalisht.

Komento: