
Një aksion i madh i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe Policisë së Kosovës ndodhi të enjten ku në mesin e 39 të arrestuarve është edhe ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, e ku u sekuestruan para, stoli ari e armë.
E në një konferencë për media Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ndër të tjera tregoi se u sekuestruan edhe 23 mijë euro para kesh.
“Sa i përket sekuestrimeve kemi sekuestruar të holla kesh 23 mijë e 700 euro, aksesorë orë të ndryshme, armë, pajisje elektronike, gjithashtu kemi pasur bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare të bllokojmë të hollat në vlerë 1 milion e 300 mijë 886 euro , kjo është bilanci kemi qenë në terren tetë prokuror kemi pasur rreth 400 zyrtarë policore”, tregoi ai.
Kryeziu teksa tregoi për 39 të arrestuarit, ai bëri të ditur se shumica nga ta janë duke u intervistuar në stacione policore.
“Ne kemi arritur të arrestojmë 39 persona përderisa shtatë prej tyre kanë rezultuar që janë jashtë Kosovës, mirëpo veprimet hetimore nuk do të ndalen në drejtim tyre, për secilin për veprimet e kundërligjshme do të përballen para organeve të drejtësisë. Ne do të kujdesemi në kuadër të mandatit që kemi BKS të sigurohemi ta kompensojmë cent më cent, prandaj kemi sekuestruar dhe ngrirë më shumë pasuri se sa ata kanë keqpërdorur që kemi prova. Por mos të harrojmë që jemi në fazë të hershme dhe këtu mund të kemi edhe vepra të tjera. Në mesin e të argëtuarve janë edhe ish drejtori i BKS-së dhe ish drejtori i Financave, shumica prej tyre janë duke i intervistuar në stacione policore përderisa prokuroria do të shfrytëzoj afatet ligjore për të kryer veprimet”, tha ai.