Arian Zeka: Shqetësuese marrja e punëtorëve të huaj, Kosovën e shohin si vend tranzit

08:54 | 24 Janar 2024
arian-zeka:-shqetesuese-marrja-e-punetoreve-te-huaj,-kosoven-e-shohin-si-vend-tranzit


Që ikja e fuqisë punëtore është sfidë e madhe nga vendi e thotë për Front Online edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Ai deklaron se ndërmarrjet në Kosovë ka kohë që kanë filluar të shprehin shqetësimet e tyre sa i përket fuqisë punëtore.

“Të vijmë në një situatë kur detyrohemi që të marrim punëtorë nga vendet aziatike realisht është shqetësuese, e para për shkak se një numër i kompanive gjatë vitit të kaluar patën raportuar që këta punëtorë që vijnë prej shteteve aziatike megjithatë nuk e shohin Kosovën si vend ku ata mund të rrijnë për një periudhë të gjatë. Një pjesë e madhe e tyre e kanë parë Kosovën si një vend tranziti për të kaluar në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, është shprehur Zeka për Front Online.

Duke pas parasysh këtë, Zeka thotë se kompanitë përsëri nuk mund të rehatohen në aspektin e fuqisë punëtore.

“Kjo do të thotë që sërish na sjellë në atë problemin kryesor kur kompanitë nuk mund të rehatohen në aspektin e fuqisë punëtore edhe e dyta me vet faktin që me gjithë popullsinë e re edhe me gjithë kapital  të rëndësishëm njerëzor nuk mund të gjejmë vende për shkak se të rinjtë tonë i shohin vendet perëndimore si vende ku ata potencialisht mund të krijojnë jetë dhe të zhvillojnë karrierën e tyre”, ka shtuar ai.

Që të parandalohet ikja e fuqisë punëtore nga vendi, i pari i Odës Ekonomike Amerikane , Arian Zeka përmend disa çështje që mund të ndikojnë në këtë.

“Është përmirësimi i shërbimeve publike. Ne vazhdojmë të ankohemi për cilësi jo të mirë të arsimit, e dyta janë shërbimet shëndetësore pra cilësia e shërbimeve shëndetësore duhet të ketë investime, dhe e treta është rritja e kostos së jetesës në vendin tonë. Institucionet publike nuk janë përgjigjur në mënyrë të drejtë për rritje të kompensimit në sektorin publik e lëvizje më të vogël ka pasur në sektorin privat me të gjitha vështirësitë”, ka thënë Zeka për Front Online.

Komento: