​Arifi: Edhe Glauk Konjufcën e mundësojmë për president, nëse ka garanci për kërkesat tona

15:50 | 25 Korrik 2026
​arifi:-edhe-glauk-konjufcen-e-mundesojme-per-president,-nese-ka-garanci-per-kerkesat-tona

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mundësojë zgjedhjen e presidentit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nëse partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit garanton zbatimin e gjashtë kërkesave që AAK-ja i konsideron prioritare.

Ai thekson se janë në pritje të një ftese nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për këto kërkesa, ku përfshihet edhe pranimi i gazit amerikan.

Arifi për KosovaPress thotë se në një takim të tillë do të diskutohej edhe për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se shtatë deputetët e Aleancës janë të gatshëm të mundësojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit, edhe nëse kandidati i propozuar nga LVV-ja është Glauk Konjufca apo cilido emër tjetër.

“Mundet në takime edhe me u zotu se do t’i implementojë të gjitha pikat dhe mundemi me bisedu. Kur të mbërrijmë te ai stacion, diskutojmë. Ne jemi shumë të lehtë për me qendru në sallë. Aleanca i ka lehtësuar punën LVV-së me i marrë shtatë votat e saj, me siguru kuorumin me çmimin më të ulët të mundshëm. Është e vetmja parti prej pas luftës që i ka ofruar partisë që ka fituar zgjedhjet me ia dhënë votat pa kurgjo për veti. Pa përfshirje në qeveri, ne s’kemi kërkuar as post ministror, as zëvendësministër, ambasador, këshilltar dhe as beneficione për komunat e Aleancës. (Gazi amerikan) Kjo është çështja e rreshtimit të Kosovës. Nuk është vetëm gaz. Qysh nuk po mundem me kuptu. Është çështje e partneritetit strategjik. Nuk po i thuhet jo vetëm gazit, po i thuhet një partneriteti afatgjatë strategjik që është në interes vital për shtetin e Kosovës. Nëse i thua gazit jo, e thëngjillit jo, kujt po i thua po? Atëherë po mbet, ti apriori po përcaktohesh për import nga mafia energjetike”, tha ai.

Arifi u shpreh se LVV-ja duhet vetëm të garantojë zbatimin e pikave të propozuara nga Aleanca, ndërsa shtoi se këto nuk janë të pandryshueshme dhe mund të diskutohen në një takim ndërmjet drejtuesve të dy partive.

Ai tha se Aleanca nuk ka kërkuar poste ministrore, zëvendësministra, ambasadorë, këshilltarë apo përfitime për komunat që udhëheq, duke theksuar se ata janë të gatshëm ta ndihmojë zhbllokimin e procesit pa u bërë pjesë e qeverisë.

Krahas gazit amerikan, Aleanca ka kërkuar lehtësime për bizneset e vogla, mbështetje për bujqësinë, buxhetimin e infrastrukturës, nisjen e menjëhershme të procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill, si dhe një fond prej 1 miliard për kryeqytetin.

“Le të na fton, bisedojmë për këtë temë dhe bisedojmë edhe për tema të tjera. Aty mund të dalin çështje të tjera, implementimi. Ne këtu nuk kemi qitë as Bibël dhe as Kuran që nuk mundemi me ia ndërru asnjë letër. Kur ka vullnet politik gjithmonë ka zgjidhje. Nga ana jonë ka vullnet politik me diskutu, ne jemi të interesuar”, shtoi Arifi.

Ai theksoi se partia e tij nuk e kushtëzon mbështetjen me profilin e kandidatit për president, por vetëm me zotimet që, sipas tij, duhet t’i marrë LVV-ja për zbatimin e kërkesave të Aleancës.

Ai shtoi se Aleanca nuk do të pengojë asnjë marrëveshje të mundshme ndërmjet LVV-së me LDK-në apo PDK-në për zgjedhjen e presidentit ose formimin e institucioneve, duke theksuar se partia e tij vetëm ka përcaktuar kushtet mbi të cilat është e gatshme të mundësojë kuorumin.

“Çfarëdo profili le ta përzgjedh. Le ta bën Glaukun, le të na garanton këto, ne e votojmë dhe rrimë në sallë. Dimalin le ta bën. LVV-ja i ka fituar 47 për qind të votave, i ka 53 deputetë, por vetëm të garanton se implementon këto pika dhe zotimet publike apo forma të tjera që përcaktohen në një takim apo takimin mes krerëve të partisë tonë dhe LVV-së. Kushdo që zgjidhet president, ne kërkojmë këto garancione. Albulenëm apo këdo.

Ne kemi qenë të qartë, nuk po lidhemi me funksion dhe njerëz. Ne jemi të lidhur me këto pozicione. Nëse t’i implementon, ne rrimë në sallë, por kjo s’do të thotë se votojmë për, por mundësojmë kuorumin. Me kënd bën marrëveshje politike, PDK-në apo LDK-në, a është afër me bo kjo nuk më intereson. Nuk e bllokoj, nuk bëj pengesa dhe si sekretar i përgjithshëm nuk dal kundër një marrëveshjeje mes LVV-së me PDK-në apo LDK-në, përkundrazi e inkurajoj, por ne si Aleancë kemi përcaktuar qëndrimet tona”, theksoi Arifi.

Komento: