Arifi: Qëndrimi i Qeverisë për mos mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë i drejtë, Serbia duhet të bëj kërkesë

08:36 | 01 Dhjetor 2023
arifi:-qendrimi-i-qeverise-per-mos-mbajtjen-e-zgjedhjeve-serbe-ne-kosove-i-drejte,-serbia-duhet-te-bej-kerkese


Ish-kryenegociatori për dialog, Avni Arifi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovës pa kërkesë direkte të Serbisë po e sheh të drejtë.

Por, derisa sipas Arifit shteti serb nuk po kërkon leje nga Qeveria e Kosovës, do të vazhdohet me praktikë të njëjtë

Deklaron se është koha që të vendosen marrëdhëniet diplomatike dhe serbët të votojnë në ambasadë.

“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është qëndrim i drejtë sepse për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve shteti serb duhet të kërkojë nga institucionet e Kosovës leje, por ata nuk po e kërkojnë dhe besoj se do të vazhdojë e njëjta praktikë. Përndryshe besoj se ka ardhë momenti që të vendosen së pari marrëdhëniet diplomatike dhe serbët të votojnë nëpër ambasada sikur në krejt botën dhe të lejohet të votohet në ambasadën e Serbisë në Kosovë”, është shprehur Arifi për Front Online.

Ndërsa, nga Bashkimi Evropian kanë konsideruar se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut.

E, për këtë Arifi deklaron se edhe qëndrimi i BE-së është i drejtë, por se duhet të respektohen procedurat pasi që secili qytetar e ka të drejtën e votës.

“Qëndrimi i BE-së është i drejtë në kuptim të asaj sepse çdo qytetar duhet të ketë të drejtë të votojë dhe të marrë pjesë në zgjedhje dhe këtë e lejojnë edhe ligjet e Kosovës edhe Kushtetuta e Kosovës sepse kemi të bëjmë me qytetarë që kanë shtetësi të dyfishtë, mirëpo njëkohësisht duhet të respektohen edhe procedurat”, ka shtuar ai.

Arifi vlerëson se kërkesa e Qeverisë së Kosovës është bukur e qartë dhe se Serbia duhet ta bëjë kërkesën për mbajtje të zgjedhjeve në Kosovë zyrtarisht përmes Zyrës Ndërlidhëse.

Komento: