
Ish-shefi i kabinetit të Ramush Haradinajt, Avni Arifi, ka publikuar një status në Facebook ku krahason zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të Shqipërisë me atë të Kosovës, duke kritikuar ashpër qeverisjen në Kosovë.
Sipas Arifit, shqetësimet e mediave greke për projektet turistike në Shqipëri lidhen me rritjen e shpejtë të turizmit shqiptar, i cili, sipas tij, po konkurron drejtpërdrejt tregun grek.
Ai thekson se Shqipëria ka kaluar nga rreth 2 milionë turistë në vitin 2010 në 11.6 milionë në vitin 2025, ndërsa investimet në resorte dhe infrastrukturë kapin miliarda euro.
Arifi vlerëson gjithashtu përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke thënë se kjo zhvillim paraqet shqetësim për Serbinë dhe aktorë të tjerë në rajon.
Në statusin e tij, ai kritikon edhe institucionet e Kosovës, duke pretenduar se vendi ka mbetur prapa në investimet në energji, infrastrukturë rrugore dhe transport ajror, ndërsa akuzon qeverinë se promovon retorikë patriotike pa rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik.
Në fund, Arifi bën thirrje për mbështetje ndaj zhvillimit të Shqipërisë dhe e cilëson periudhën aktuale si të rëndësishme për të ardhmen e saj dhe integrimin në Bashkimin Evropian.