U bë brum për të debat të ashpër në vend, por zëdhënësi i lëvizjes së kthyer në parti, Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka doli me disa shpjegime shtesë se si duhet kuptuar videoja propagandistike e Lëvizjes Vetëvendosje e publikuar këtë të hëne.
Në qëndrimet denoncuese ndaj kësaj videoje, Manxhuka, në cilësinë e ventrilokistit të videos, tha se “janë dy të pavërteta”.
E kaluara, sipas projektimit të tij “pas dhe para” 14 shkurtit, 2021, “nuk është e prerë si me thikë”, u shpreh ai, derisa vijoi të krijojë vazhdimësi, ndonëse si subjekt politik Lëvizja Vetëvendosje, vetes kaherë ia ka dhënë proklamatat e “shkëputjes përfundimtare nga qeverisjet”, sipas tyre, “20 vjeçare”.
Marrja dhe rikthimi nga e kaluara, shprehjet “20 vjet shkatërrues të shtetit”, Manxhuka tha se “nuk vijnë si nostalgji”, dhe se në shumë sfera, situata “është tejet e pariparueshme”.
Madje, të kaluarës, në mbrojtje të paraqitjes propagandistike të videos së Vetëvendosjes, ai tha se “duhet t’i kthehemi gjithmonë në mënyrë që të mos veprohet ashtu në të ardhmen, m’u sikur retrovizorja që paraqet pasqyrën kryesore në veturë me shikim vetëm mbrapa, por funksionin e ka për të ecur në rrugë të duhur para”.
Mu në kohën kur 20 mijë punëtor të arsimit u lanë pa paga, Lëvizja Vetëvendosje iu kthye të së shkuarës për të denoncuar qeveritë e kaluara, si “shkatërrues të shtetit”, “haraçexhinj”, “tenderxhinj”, “anti-shtet”, “të korruptuar”.
Kjo video u kritikua ashpër si propagandë e cilësisë tejet të dobët, dhe e panevojshme kur Lëvizja Vetëvendosje është pothuasje 2 vite në pushtet, me rezultate që s’duken gjëkundi në horizont, dhe kthim në horizontet në të cilat si lëvizje e kthyer në pari ka operuar kaherë, në denoncim të të tjerëve, me shumicën prej të cilëve ka bashkëpunuar edhe vet.
Shkrimi i plotë i Arlind Manxhukës:
Pashë një analist, sigurisht jo i vetmi, që teksa kritikonte videon e fundit te VV ndonëse pajtohej, thoshte se nuk po shoh askund se çka po bëjnë këta për kohën sa janë në pushtet.
Në këtë mendim dhe logjikë janë dy të pavërteta:
• Linqet më poshtë janë vetëm disa të publikimeve për punët e bëra nga qeveria për muajin shtator dhe videon me punët e bëra përgjatë këtij muaji si përmbledhje nga zëdhënësi i Qeverisë. Por, kjo video nuk u bë e madhe, nuk e di nëse është bë lajm diku madje.
• Këta që thonë lëreni të kaluarën, por punoni në fakt janë duke thënë se prerja pas dhe para 14 shkurtit 2021 është prerje si me thikë. Thuajse institucionet shtetërore, mekanizmat e pushtetit janë fabrika të braktisura që ndërrojnë me automatizëm me ndrrimin e punëtorëve të tyre. JO.
Në fakt qeverisja aktuale në çdo ditë të sajën sheh vendimet e këqija, mungesën e drejtësisë dhe në shumë vende situatën tejet të pariparueshme. Dhe këtu e shkuara bëhet më aktuale se kurrë. Pra, e shkuara këtu nuk vjen si nostalgji, si rikujtim i një ngjarje atje largë në 20 vite, por si diçka efektet e këqija të së cilës ne ende i jetojmë dhe është pengesë për ecjen tutje.
Moti e kemi pasë theksuar një shembull tipik për këta që na thoshin mos u merrni me të kaluarën, flisni për të ardhmen. Në fakt e kaluara jonë 20 vjeçare është mësimi që duhet t’i kthehemi gjithmonë në mënyrë që të mos veprohet ashtu në të ardhmen, m’u sikur retrovizorja që paraqet pasqyrën kryesore në veturë me shikim vetëm mbrapa, por funksionin e ka për të ecur në rrugë të duhur para.
Vetëm disa prej linqeve të postuara ditëve të fundit mbi vendimet e qeverisë gjeni në koment.