“Armiqtë” e dobishëm që prodhoi marrëveshja e Uashingtonit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

“Armiqtë” e dobishëm që prodhoi marrëveshja e Uashingtonit

Shkruar nga: Mero Baze

08:29 | 08 Shtator 2020

Për të kuptuar çfarë ka ndodhur në Uashington, shikoni reagimet e atyre që janë hidhëruar nga Marrëveshja.

E para është Rusia. Në një postim poshtërues, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, fyen rëndë Presidentin Vuçiç, për pozicionin e karriges ku ishte ulur përballë presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Debatet që pasuan fyerjen, tregojnë se takimi i Uashingtonit ka prodhuar një linjë ndarjeje mes Beogradit të Vuçiç dhe Moskës së Putinit, e cila mund të ketë pasoja afatgjata. Është e qartë se në Moskë ka neveri për atë që ka ndodhur në Uashington, pasi jo vetëm që cenohen interesat ruse në rajon, në favor të Uashingtonit, por dhe bie rëndësia e Rusisë si ndërmjetëse në proceset mes Serbisë dhe fqinjëve në rajon.

E dyta është Turqia. Reagimi i Ministrisë së Jashtme turke, kundër vendimit të Kosovës, për të hapur një ambasadë në Jerusalem, ka rritur tensionin mes Ankarasë dhe Prishtinës, dhe ka kërcënime jozyrtare, deri në tërheqje të njohjes së Kosovës nga Turqia.

Argumentet e palës turke, kanë të bëjnë me ligjin ndërkombëtar që i jep një status neutral Jerusalemit më 1967, por në realitet ka të bëjë me aleancën e fortë turko- palestineze kundër Izraelit. Palestina është vendi që nuk e njeh Kosovën, dhe që lufton pavarësinë e saj, dhe Turqia nuk ka mundur dot ta bindë për të kundërtën.

Në këto kushte SHBA ka mundur të bindë Izraelin, ta njohë Kosovën, duke vulosur kështu se nga do të mbante sytë Kosova.

Acarimi i Turqisë, zbeh shumë perspektivën e raporteve turko- kosovare, sa i përket influencës turke në rajon, dhe është një test i fortë, nëse Kosova është interes real i Turqisë, apo një vend që duhet të shërbejë si suplement për të kënaqur interesat e Turqisë.

E treta është Kina. Angazhimi i dy vendeve për të shmangur përdorimin e teknologjisë kineze 5G, është një ndërhyrje direkte në interesat ekonomike të Kinës në rajon, duke e futur rajonin zyrtarisht nën sferën e interesit edhe ekonomik amerikan. Po t’i shtosh dhe kushtëzimin që Rusia të mos furnizohet nga rrjeti energjetik rus i gazit, kjo bëhet dhe më e dukshme.

Një marrëveshje që ka shqetësuar aktualisht tre nga vendet më të fuqishme të botës, është një shenjë që tregon se marrëveshja ka prioritet instalimin e ndikimit amerikan në rajon, e cila është një garanci afatgjatë, që zgjidh dhe konfliktin Kosovë- Serbi.

Dhe e fundit ajo që ka rëndësi është se Bashkimi Europian, nuk ndjehet i shqetësuar nga marrëveshja. Ndryshe nga sa thuhej më parë se iniciativa amerikane po rivalizon Brukselin, kjo marrëveshje ka forcuar raportet mes Brukselit dhe SHBA për rajonin dhe i ka bërë ato kompaktibile me njëra tjetrën.

Dhe kjo ka po aq rëndësi, sa armiqtë e mëdhenj, që ka prodhuar marrëveshja. Sa i përket të mërziturve në botën shqiptare, nuk ja vlen t’i përmendim se ata dhe ashtu nuk e kanë me SHBA dhe as me përmbajtjen e marrëveshjes, por me faktin që nuk janë pjesë e kësaj historie, të cilën në fakt u përpoqën ta largonin sa të mundnin.

E sigurt është, që në Uashington u forcua identiteti shtetëror i Kosovës dhe pavarësia e saj dhe u tua një arbitër i fuqishëm dhe i drejtë për paqen afatgjatë me Serbinë.

Kjo është dita e duhur për t’u mërzitur nëse nuk do që Kosova të jetë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht. Rusia, Turqia, Kina dhe Palestina kanë nisur të mërziten. Ka dhe plot shqiptarë të mërzitur, që të mos ndjehen vetëm këto të përloturit e mëdhenj të botës.

Komento: