Aro Muric drejt Premier Ligës me Burnley: Sërish mbajti portën e paprekur, ja statistikat.
Arijanet Muric nuk kishte aspak punë sot në ndeshjen e Burnley kundër Blackpool dhe kështu për herë të dytë radhazi mbajti portën e paprekur.
Skuadra e udhëhequr nga Vincent Kompany nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, në një ndeshje të dominuar plotësisht nga ana e saj.
Por, përkundër faktit se nxori vetëm një pikë në udhëtim përsëri mbetet favorite për t’u rikthyer në Premier League.
Merita për këtë sukses patjetër që do të ketë edhe gardiani kosovar, i cili është një nga pikat kyçe të skuadrës. Ai sot nuk bëri asnjë pritje, pasi nuk kishte asnjë goditje në drejtim të tij.
Muric si në shumicën e rasteve ishte tejet i saktë në lojën me këmbë. 24-vjeçari bëri 35 pasime, ku 28 prej tyre shkuan aty ku deshi ai.
Në ‘degazhime’ apo ndryshe pasime të gjata në 16 raste ishte nëntë (9) herë i saktë.
”Pak për të bërë në pjesën e parë. Nuk u testua as pas pushimit,” ka shkruar mediumi anglez ‘lancs.live’ i afërt me klubin e Burnley. Ky medium e vlerësoi paraqitjen e Muric me notën 6.
Ai ka zhvilluar deri më tani 33 paraqitje në Championship dhe nuk ka pësuar gol në 13 ndeshje, derisa ka pranuar 27.
Ndryshe, Burnley aktualisht është në pozitën e parë në tabelë me 77 pikë, 13 pikë më shumë se Sheffield United dhe 17 më shumë se Middlesbrough.