Arratisja e Radojiçiqit në vitin 2018, Sylë Hoxha: Ka pasur ‘misionarë’ që t’i hiqet fletëarresti, të vijë në Kosovë

18:37 | 27 Shtator 2023
arratisja-e-radojiciqit-ne-vitin-2018,-syle-hoxha:-ka-pasur-‘misionare’-qe-t’i-hiqet-fletearresti,-te-vije-ne-kosove

Ish kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, u pyet nëse ka pasur mbështetje ose pajtim politik që të mos ndodh arrestimi i Milan Radojiçiq në vitin 2018.

Ai tha se ka pasur “misionarë” që kërkonin që t’i hiqet fletëarresti Radojiçiqit dhe që të kthehet në Kosovë.

Hoxha tregon se si u përgjigj këtyre “misionarëve”.

“Nuk mund ta them, nuk mund të aludojë në diçka të tillë se nuk kam pasur aso informacione. Unë e di që ka pasë lëvizje se qysh me ia bë, le të kthehet, me ia hjek fletëarrestin. Unë iu kam përgjigjur “misionarëve” të tillë se vetëm sipas kodit të procedurës penale, le të bashkëpunojë me drejtësinë, le të dorëzohet, ne do t’ia japim ato prioritetet të cilat i takojnë, përndryshe edhe ai duhet t’i nënshtrohet ligjit si çdokush tjetër”, tha Hoxha, në T7.

Ai tha se ka pasur tentativa prej disa njerëzve, mirëpo shton se kanë qenë të vendosur që të mos lëshojnë pe.

“Ka pasur disa tentativa prej disa njerëzve se a mund të vij ai në Kosovë, a mund të dorëzohet e kështu me radhë. Ka pasur disa tentativa mirëpo ne kemi qenë mjaft të vendosur në atë kohë dhe nuk kemi lëshuar pe se edhe s’kemi pasur arsye as bazë ligjore. Po flas për veprimet e mia që i kam marrë”, tha Hoxha.

Në nëntorin e vitit 2018, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për të arrestuar disa persona si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gjatë këtij aksioni u arrestuan disa persona, por Milan Radojiçiq nuk u gjet në banesën e tij.

Komento: