Arratisjes së Remzi Shalës mund t”ia shohin sherrin të ftuarit të tjerë nga Specialja – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Arratisjes së Remzi Shalës mund t”ia shohin sherrin të ftuarit të tjerë nga Specialja

17:29 | 03 Janar 2019

Ka kaluar pothuajse një muaj dhe askush nuk di për fatin e Remzi Shalës.

Menjëherë pasi që i erdhi ftesa për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë, ish-ushtari i UÇK-së, Remzi Shala duke refuzuar t’i përgjigjet së njëjtës, iku nga Kosova.

Kjo ishte bërë e ditur nga disa shokë të luftës së Shalës, të cilët për lajmi.net kanë thëne se që nga koha kur ai kishte dalë jashtë shtetit, nuk kishin pasur kontakt me të, shkruan lajmi.net.

Se nuk ka ndonjë informacion për vendndodhjen e Remzi Shalës, e konfirmoi sot edhe avokati i tij, Natal Bullakaj.

Lexo edhe:

Gati një muaj prej arratisjes nga Specialja, asnjë gjurmë nga “Molla e kuqe”

E veprimi i ish-ushtarit të UÇK-së, po cilësohet si mosbindje ndaj Gjykatës Speciale.

Avokati Tomë Gashi, për lajmi.net tha se kjo mund të sjellë pasoja të tjera ligjore, që përfshinë urdhërimin e arrestimit të tij dhe dërgimin e tij në Hagë.

Gashi tutje thotë se arrestimi i Remzi Shalës nuk konsiderohet rasti i profilit të larë, dhe se policia mund të lëshohet në veprim.

“Sigurisht që në këtë rast, arrestimi i tij mund të bëhet edhe nga Policia e Kosovës, pasi që ky rast nuk konsiderohet i profilit të lartë. Policia e Kosovës me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Special mund të tentojë që të zbulojë vendndodhjen e tij dhe të veprojë sipas kërkesave të lëshuara nga Gjykata Speciale”, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu sqaron se deklarimi i Remzi Shalës, përmes avokatit të tij, se ai nuk do t’i përgjigjet Gjykatës Speciale është vetëm formal.

Siç shton avokati Gashi, Shala deri më 17 janar të këtij viti nuk mund të ketë pasoja juridike për shkak të këtyre deklaratave, dhe se i njëjti në çdo moment mund të lajmërohet dhe të shkojë në Hagë, sipas procedurave ligjore.

“Në raste hipotetike, nëse dikush nuk i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale, atëherë ndaj tij mund të përdoren mjete ligjore, që nga dënimi i tij me para, deri tek arrestimi dhe paraburgimi”, ka thënë tutje ai.

Mirëpo, ky rast, mund të shërbejë si precedent edhe për personat e tjerë të ftuar nga Specialja.

Si i tillë, të ftuarit e tjerë mund të arrestohen menjëherë për shkak të krijimit të përceptimit se persona të caktuar nuk do t’u përgjigjen këtyre ftesave.

“Por në këto raste dëmi mund të bëhet edhe për të tjerë të do të ftohen në Gjykatën Speciale ngase mos bashkëpunimi apo mos dorëzimi në Gjykatë Speciale mund të merret si precedentndaj të tjerëve të cilët do të ftohen. Mund të përdoren masa më të rënda ligjore duke përfshirë edhe arrestimin e tyre të menjëhershëm, kjo për shkak të krijimit të perceptimit se persona të caktuar nuk i përgjigjen ftesave që do të thotë se nuk kanë bashkëpunim me Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Ai në fund ka shtuar se çështja e formimit të Gjykatës Speciale është temë e vjetër dhe secili që ftohet në çfarëdo cilësie duhet t’i përgjigjet ftesave për shkak se me këtë sipas tij e parandalon aplikimin e masave të tjera më të rënda.

Theksojmë, se kanë kaluar gati një muaj që nga koha kur Remzi Shala, në luftë i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, u arratis nga ftesa e Gjykatës Speciale.

I njëjti, nën pretekstin se lufta e tij ishte e drejtë, kishte thënë se nuk do t’i përgjigjet kësaj Gjykate.

Komento: