
Një gjyqtar për të mitur ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj një të mituri që po hetohet për dhunim, në një rast që tronditi Vushtrrinë dhe që u zbulua pasi babai i vajzës gjeti biseda të dyshimta në telefonin e saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti u raportua mbrëmjen e 15 qershorit, kur babai i vajzës së mitur, me inicialet S.B., zbuloi në telefonin e saj biseda në rrjetin social Snapchat me një djalë të mitur, duke ngritur dyshimet se mes tyre kishte ndodhur marrëdhënie seksuale.
Pas denoncimit, Policia intervenoi dhe shoqëroi palët në stacion, ndërsa e mitura iu nënshtrua trajtimit dhe ekzaminimeve mjekësore.
Sipas informatave që posedon Sinjali, i dyshuari me inicialet L.H. kishte pranuar para hetuesve se gjatë ditës së 15 qershorit kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, ai ishte ndaluar fillimisht për 24 orë.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, i dyshuari është nxjerrë para gjyqtarit për të mitur në Gjykatën kompetente, ku pas seancës dëgjimore është vendosur që ndaj tij të caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Rasti po vazhdon të hetohet.
Për shkak të moshës së personave të përfshirë, Sinjali publikon vetëm inicialet e tyre.