
Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, duke arrestuar 5 persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, kanë zbardhur vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998. Gjatë këtij hetimi, janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante.
“Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ ‘SYRIGANA’, në gjashtë lokacione të ndara – 5 në Skenderaj dhe një në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar 5 persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Gjatë bastisjeve të kryera në objektet e banimit dhe ato përcjellëse, janë konfiskuar armë, fishekë, karikatorë, uniforma ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.
“Janë konfiskuar 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, 1 armë brezi Zastava M-57, 2 karikatorë me 77 fishekë, 1 pushkë gjuetie 12 GA dhe uniforma të ndryshme ushtarake”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia dhe Prokuroria Speciale theksojnë angazhimin e tyre të vazhdueshëm për zbardhjen e krimeve të luftës dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre:
“Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale mbetet e përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”
Ky operacion vjen si pjesë e angazhimit të institucioneve për t’i dhënë epilog krimeve të kryera gjatë luftës dhe për të forcuar besimin në drejtësi në vend. /Telegrafi/