Arrestimi i dy kosovarëve nga policia serbe, kryediplomatja Haradinaj vazhdon të heshtë

09:08 | 15 Dhjetor 2020

Ministrja Haradinaj as edhe një fjalë për arrestimin e dy kosovarëve nga policia serbe.

Ka më shumë se tri ditë që nga koha kur dy qytetarë të Podujevës janë arrestuar nga policia serbe.

Blerim Maqastena dhe Berat Maxhuni u arrestuan pasi si pasojë e mjegullës ishin ç’orientuar dhe kaluan në territorin kufitar të Serbisë.

Ani pse kanë kaluar tri ditë nga arrestimi dhe dje të njëjtëve iu konfirmua një muaj paraburgim, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla nuk e ka thënë as edhe një fjalë lidhur me këtë rast.

Pavarësisht se njëri nga ta raportohet të jetë liruar nga ky paraburgim dhe pse mundësitë e deklarimit në ditët e sotme janë të mëdha, ministrja Haradinaj zgjodhi të hesht përballë gjithë kësaj situate.

As edhe një fjalë në Tëitter, Facebook apo email-it zyrtarë nuk e bëri Meliza Haradinaj-Stublla.

Madje lidhur me këtë lajmi.net ka tentuar të marrë edhe një përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme, por që një gjë e tillë nuk u bë.

Pak minuta më parë nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se Berat Maxhuni tashmë është liruar nga arrestimi që iu bë në Serbi.

Blerim Maqastena, asamblist nga radhët e PSD-së në Komunën e Podujevës si dhe Berat Maxhuni janë përshkruar si njerëz jo-problematik dhe të cilët nuk dihet saktësisht se si u arrestuan.

Ndryshe nga Policia e Kosovës patën deklaruar për lajmi.net se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme për të kontaktuar me palën tjetër në kufi, ku edhe më pas pranuan konfirmimin se dy qytetarët kosovarë u ndaluan nga autoritetet policore serbe.

Ky nuk është arrestimi i parë i bërë gjatë këtij viti nga policia serbe, teksa një nga të arrestuarit më parë, Nezir Mehmetaj vazhdon të mbahet në burgjet e Serbisë.

Arrestimi i tij ishte bërë teksa po kalonte pikën kufitare, pasi në shtetin serb kishte udhëtuar për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij.

Që atëherë familjarët kanë tentuar që përmes avokatëve të mundësohet lirimi Mehmetaj-t, por që një gjë e tillë u pamundësua.

Komento: