
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Gjakovë, Hasan Krasniqi, është arrestuar në një pikëkalim kufitar në perëndim të Bullgarisë më 19 shkurt. Ky lajm u bë i ditur të premten për Reportetin.net nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ).
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyueshevo”, tha MPJ.
Dyshimet janë se Krasniqi, ka në pronësi një kompani transporti, ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara nga Gjakova drejt vendeve të Evropës. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.
Lidhur me këtë për Front Online është deklaruar avokati i Hasan Krasniqit, Tritan Hamitaj.
Sipas Hamitaj, për këtë çështje, Hasan Krasniqi është paraqitur personalisht para autoriteteve italiane.
Avokati Tritan Hamitaj ka treguar se Hasan Krasniqi është ortak me 50% të kuotave të personit juridik, në një kompani transporti, ku janë transportuar disa ekipe sportive në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sipas tij, nuk ka të bëj me dyshimet se ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara.
“Për shkak të kësaj veprimtarie me mjetet e transportit në pronësi të saj janë transportuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ndër të tjera edhe ekipe sportive të ndryshme. Disa nga sportistët që kanë lëvizur në vitin 2022 nuk janë kthyer në Kosovë dhe ka rezultuar nga autoritet Italiane të Drejtësisë se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullsi për shkak se nuk kanë qenë pjesëtar të ekipit sportiv dhe qëllimi i marrjes së vizave ka qenë për emigrim. Nga hetimi ka rezultuar se këta sportistë kanë lëvizur me mjetet e transportit të Shpatturs dhe prej autoriteteve të drejtësisë Italiane është vlerësuar se Z. Hasan Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe roli i tij në dijeninë ose jo të parregullsive në marrjen e vizave. Z. Krasniqi sapo ka rënë në dijeni të këtij fakti ka shfaqur vullnetin të paraqitet personalisht përpara autoriteteve të drejtësisë italiane dhe të shpjegojë rrethanat e tij në këtë ngjarje”, ka deklaruar Hamitaj./Front Online/
Deklarata e plotë e avokatit të Hasan Krasniqit, Tritan Hamitaj:
Hasan Krasniqi është ortak me 50% të kuotave të personit juridik SHpatturs shpk. Këtë shoqëri në cilësinë e administratorit e drejton Z. Muhamet Krasniqi i cili është vëllai i Z. Hasan Krasniqi.
Kjo shoqëri ka në objektin e veprimtarisë së saj ndër të tjera edhe transportit rrugor të udhëtarëve, dhe për këtë shkak është pajisur me licencë profesionale që nga data 8.1.2021
Për shkak të kësaj veprimtarie me mjetet e transportit në pronësi të saj janë transportuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ndër të tjera edhe ekipe sportive të ndryshme. Disa nga sportistët që kanë lëvizur në vitin 2022 nuk janë kthyer në Kosovë dhe ka rezultuar nga autoritet Italiane të Drejtësisë se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullsi për shkak se nuk kanë qenë pjesëtar të ekipit sportiv dhe qëllimi i marrjes së vizave ka qenë për emigrim.
Nga hetimi ka rezultuar se këta sportistë kanë lëvizur me mjetet e transportit të Shpatturs dhe prej autoriteteve të drejtësisë Italiane është vlerësuar se Z. Hasan Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe roli i tij në dijeninë ose jo të parregullsive në marrjen e vizave.
Krasniqi sapo ka rënë në dijeni të këtij fakti ka shfaqur vullnetin të paraqitet personalisht përpara autoriteteve të drejtësisë italiane dhe të shpjegojë rrethanat e tij në këtë ngjarje.
Krasniqi nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët, nuk ka dijeni se në cilën konsullatë janë nxjerrë vizat dhe nuk ka pasur kontakt me asnjë sportist gjatë procesit të marrjes së vizave.
Nuk ka ndihmuar në nxjerrjen e vizave, nuk ka pasur dijeni se disa nga sportistët nuk kanë qenë pjesëtar të ekipeve sportive, nuk ka pasur dijeni për qëllimet e tyre, por shoqëria që i është ortak ka kryer transportin sipas licencës profesionale dhe kontraktimit nga klubi sportiv.
Krasniqi nuk ka firmosur asnjë kontratë transporti dhe asnjë dokument që lidhet me veprimtarinë e Shpatturs shpk. Kontratat dhe cdo dokument tjetër i kësaj shoqërie është firmosur nga administratori i shoqërisë.
Krasniqi është vënë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë italianë në mënyrë vullnetare dhe është i bindur se kjo situatë do sqarohet shumë shpejt.