
Dy personat e arrestuar të hënën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile në Zubin Potok dyshohet se lidhen me një nga rastet më të rënda të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë – rrëmbimin dhe zhdukjen e 23 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës, më 19 prill 1999.
Burime nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për KosovaPress se bëhet fjalë për hetimet që lidhen me zhdukjen e grupit të intelektualëve, në mesin e të cilëve ishte edhe mjeku i njohur, dr. Adem Ademi.
Sipas këtyre burimeve, dy të dyshuarit e arrestuar dyshohet se kanë njohuri për këtë rast, ndërsa hetimet janë ende në fazën fillestare.
Grupi prej 23 intelektualësh ishte ndaluar nga forcat serbe më 19 prill 1999 në zonën e Zubin Potokut, derisa po largohej drejt Malit të Zi. Që nga ajo ditë nuk është mësuar më asgjë për fatin e tyre, ndërsa ata vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Për vite me radhë janë zhvilluar kërkime në disa zona ndërmjet Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Istogut, ku dyshohet se mund të ndodhet një varrezë masive, por deri më tani nuk është gjetur asnjë lokacion që do të zbardhte fatin e tyre. Gjithashtu, ka pasur kërkesa që hetimet dhe kërkimet të shtrihen edhe në zonën e Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi.
Në përvjetorin e 25-të të zhdukjes së tyre, më 19 prill 2024, kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte kujtuar këtë rast, duke theksuar se grupi i intelektualëve u pa për herë të fundit në rrethin e Zubin Potokut, ku u ndalua nga forcat e ushtrisë jugosllave.
|Në mesin e të zhdukurve janë: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu dhe Xhemail Meziu”, pati shkruar Kurti.
Sipas deklaratës së Kurtit, pas vrasjes së tyre, trupat u zhdukën në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.