Arrestohen dy persona për gjuajtjen me armë në tubimin e VV-së në Drenas

23:37 | 12 Tetor 2021

Policia shoqëron dy persona në stacion për gjuajtjen me armë në tubimin e VV-së.

Dy persona janë shoqëruar në Polici në lidhje me gjuajtjen me armë në tubimin e VV-së në Gllanasellë të Drenasit.

Mediat më herët publikuan një video ku shihet se në një tubim të VV-së në ambient të brendshëm është shtënë me armë zjarri, shkruan lajmi net.

E policia ka konfirmuar se në lidhje me rastin ka sekuestruar një armë me gaz dhe pesë fishekë.

Po ashtu, janë shoqëruar dy persona.

“Rreth orës 21:00, kemi marrë informatën se në fshatin Gllanasellë të Drenasit, ka pasur të shtëna me armë. Bazuar në të dhënat fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar. Në lokacionin ku ka ndodhë rasti, policia ka kryer një bastisje dhe ka identifikuar një person të dyshuar, të cilit (në veturë) i ka gjetë dhe sekuestruar një armë me gas, të tipit Ecol Special dhe 5 fishekë. Në stacion policor janë shoqëruar dy persona dhe aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Siç u raportua më herët nga mediat, i pranishëm në këtë aheng ku u shtie me armë zjarri ishte edhe deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli.

Mirëpo, ky i fundit e ka mohuar se ka qenë prezent kur është shtënë me armë, duke thënë se nga ai aheng ka dalë pas 30 minutash.

Komento: