Arrestohen dy shtetas të Kosovës, dyshohen për vjedhje të rënda në Austri

09:30 | 15 Nëntor 2023
arrestohen-dy-shtetas-te-kosoves,-dyshohen-per-vjedhje-te-renda-ne-austri

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësiti i hetimeve të përgjithshme në Prishtinë, në aksione të ndara, ka arrestuar dy persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda që thuhet se kanë ndodhur në Austri.

Rastet sipas Policisë kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti.

“Puna e hetuesve rajonal, është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative në koordinim me Prokurorinë, Gjykatën Themelore dhe hetuesit nga Republika e Austrisë, kanë arrestuar dy personat e dyshuar: L.B. mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe I. V. mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë pjesë e aksioneve ka qenë edhe kontrolli i katër lokacioneve, ku nga hetuesit janë gjetur dhe sekuestruar stoli ari, 156 fishekë dhe 2 automjete.

“Personat e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tash më është i identifikuar”, thuhet në njoftim.

 

Komento: