Arrestohen dy zyrtarë bankarë, dyshohet se ngarkuan me kredi 25 mijë euro viktimën pa dijeninë e saj

17:35 | 21 Maj 2026
arrestohen-dy-zyrtare-bankare,-dyshohet-se-ngarkuan-me-kredi-25-mije-euro-viktimen-pa-dijenine-e-saj

Policia e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë bankarë të cilët dyshohet se e kanë ngarkuar me kredi prej 25 mijë eurosh një grua pa dijeninë e saj.

“Policia e Kosovës me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit, mbi dyshimet se i dyshuari nr.1 m/k në cilësinë e menaxherit bankar ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke liruar mjetet në vlerë prej njëzet e katër mijë (24.000,00) euro, ashtu që ka urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin nr.2 m/k që të kryejë transaksionin e të hollave në llogari të dy bizneseve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“I dyshuari i dytë analist bankar, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit të kësaj banke duke transferuar njëzet e katër mijë (24.000,00) euro nga llogaria e të dëmtuarës (të cilën paraprakisht e kishin ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj), nga dymbëdhjetë mijë (12.000,00) euro për secilin biznes”.

Të dyshuarit, sipas Policisë, i kanë shkaktuar viktimës dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj.

“Pas veprimeve të kundërligjshme të të dyshuarve, kredia në emër të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore, e më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, edhe pse ky subjekt nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se në emër të saj është realizuar kredia prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro”.

“Të dyshuarit e lartë cekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj. Të njëjtit janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me Aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përderisa hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim te zbardhjes së shumës prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro”.

Komento: