
Task Forca e Prokurorisë së Durrësit ka vënë në pranga tetë zyrtarë të burgut të këtij qyteti, të cilët dyshohet se janë të implikuar në arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, më 13 janar.
Të arrestuarit janë: Aulon Çuko, Dezdemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferollari, Preng Marvataj, Fation Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka, shkruan Euronews.al.
Hetimet janë duke vazhduar nga autoritetet, të cilat po shqyrtojnë rolin e secilit të arrestuar në organizimin e arratisjes së Ndocit.
Zyrtarët e Prokurorisë dhe të Policisë po vijojnë procedurat ligjore për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Kujtojmë se i paraburgosuri Altin Ndoci u arratis të martën nga spitali i Durrësit, pasi në ambientet e brendshme të tij shtyu dhe goditi dy policë që po e ruanin dhe doli jashtë, ku e priste një makinë me dy persona, me të cilën u largua.
Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje e grup kriminal. Ndoci është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.
Ai u arrestua në vitin 2020, i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës, por që më pas mori pafajësi nga gjykata.