Arrestohen tre persona pasi keqpërdoren kartelat bankare duke shkaktuar dëm mbi 10 mijë euro

09:41 | 28 September 2021

Keqpërdoren kartelat bankare duke shkaktuar dëm mbi 10 mijë euro, arrestohen tre persona.

Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjegjësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar tre persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit’.

“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme (telefona mobil). Dëmi i shkaktuar nga këto blerje është mbi 10000 (dhjetëmijë) euro.

Hetuesit policorë kanë kontrolluar një lokacion dhe në cilësinë e provave kanë sekuestruar: katër telefona mobil dhe dokumentacion relevant që dëshmon blerjen e tyre”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit B.M., viti i lindjes 1998, mashkull kosovar dhe V.H., viti i lindjes 2000, mashkull kosovar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, kurse i dyshuari Rr.M., viti i lindjes 2004, mashkull kosovar lirohet në procedurë të rregullt.

Komento: